Bërnabiq: Vazhdimi i dialogut me Kosovën do të jetë në fokus të qeverisë së re në Serbi
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se formimi efektiv i Qeverisë së re të Serbisë është vendimtar për të vazhduar punën për integrimin evropian dhe se fokusi kryesor i saj do të jetë vazhdimi i dialogut me Kosovën.
“Vazhdimi i dialogut për normalizimin me Prishtinën do të jetë fokusi kryesor këtu, veçanërisht duke pasur parasysh vendimin e fundit të Beogradit për të lejuar lirinë e lëvizjes së automjeteve me targa të lëshuara nga Prishtina”, ka shkruar ajo në një tekst autorial për “Politico”.
Sipas saj, qeveria e re në Beograd do të duhet të përqëndrohet në diversifikimin e energjisë si dhe hapjen e një tubacioni gazi për në Bullgari dhe të vazhdojë përpara me reformat jetike të shtetit të së drejtës.
“Demokracia shtrihet përtej ditës së zgjedhjeve dhe aktit të thjeshtë të vendosjes së fletës së votimit në një kuti. Ajo duhet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë ata të zhgënjyer me rezultatet, në procesin paszgjedhor. Dhe, duke pasur parasysh agjendën e gjerë që pret qeverinë e ardhshme serbe, opozita mund të luajë një rol të rëndësishëm në arritjen e shumë prej këtyre qëllimeve nëse do të përvetësonte një qasje më konstruktive. Në fund të fundit, ky është thelbi i demokracisë”, ka thënë Bërnabiq.