“Bruhi” dhe “zorra qorre” operacionet më të shpeshta tek fëmijët
Mbi një mijë pacientë janë operuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Operacionet më të shpeshta në këtë klinikë ishin ato të “bruhit” dhe të “zorrës qorre”. Ndërkaq, në Kirurgjinë e Fëmijëve, brenda javës operohen rreth 50 fëmijë, apo deri në 8 pacientë në baza ditore.
Pediatri në Klinikën e Kirurgjisë ë Fëmijëve, Dëfrim Koçinaj, tha se në njëmbëdhjetë mujorin e vitit 2023, janë kryer 736 operacione të planifikuara dhe 352 të tjera të urgjencës.
Koçinaj shtoi se kjo klinikë ka shtuar intervenimet në kirurgjinë minimale invazive dhe në endourologji, krahasuar me vitin e kaluar.
“Deri në fund të muajit nëntor, 736 operacione të planifikuara janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike. Ndërsa, si operacione të urgjencës janë 352…Operacionet më të shpeshta në klinikën tonë janë defektet e murit të cilat janë hernitë e ndryshme inguinale ose populli i thonë ‘bruhi’ dhe mungesa e zbritjes së testiseve. Ndërsa, si operacione të urgjencës më së shpeshti i kemi apendicitet ose zorra qorre…Gjatë viteve pandemike ka pasur rënie të dukshme të operacioneve të realizuara, por pastaj jemi rikthyer në suaza të normales…Kemi shtuar intervenimet me kirurgji minimale invazive dhe me endourologjinë, ofrojmë shërbime me gamë shumë të gjerë se vitet kaluese…Ditët që punojmë me kapacitetin tonë normal që është dy salla paradite prej të hënës deri të premten, mund të kryhen mbi 30 operacione në javë, shto edhe operacionet e urgjencës që mund të jenë si një mesatare dy intervenime urgjente…që i bie deri në 50 operacione në javë”, tha Koçinaj.
Ndër të tjera, Koçinaj potencoi se janë të rralla rastet kur ndonjë ndërhyrje kirurgjikale nuk kryhet në këtë klinikë dhe nevojitet që fëmija të trajtohet jashtë vendit.
“Republika jonë është një vend shumë i vogël dhe numri i natalitet, numri i të lindurve ka rënë në mënyrë të dukshëm, mbi 35 për qind. I bie që anomalitë e rralla lindin shumë rrallë, mund të jetë një herë në pesë vite një anomali, ose një herë në dy vjet…Prandaj, ne nuk arrijmë që ta ngrisim nivelin e ekspertizës për këto lloj operacione dhe detyrimisht duhet t’i referojmë jashtë vendit. Por, fatmirësisht nuk është numër i madh, mund të jetë në mesatare prej dy rasteve në vit”, theksoi Koçinaj.
Kirurgu i fëmijëve, Dëfrim Koçinaj tha se ka mungesë stafi në këtë klinikë, kryesisht të anesteziologëve dhe infermierëve. Ai shtoi se pjesa e shërbimit urgjent 24 orësh, ka nevojë për një projekt të ri.
“Sigurisht që kemi mungesë të stafit, që lidhet me një dukuri të përgjithshme në mjekësinë kosovare, por jo vetëm. Për shembull një numër i anesteziologëve në një farë mase e kanë liruar institucionin publik dhe kanë shkuar nëpër spitale private. Pastaj edhe ka plot mjekë të rinj që kanë marrë rrugën për ta vazhduar karrierën në endet e Bashkimit Evropian, sidomos në Gjermani dhe kjo reflektohet edhe tek numri i mjekëve…Edhe për infermierë varet në cilin sektor, pjesa e repartit dhe pjesa e traktit operativ jemi të mbuluar me një masë mesatare. Ndërsa pjesa e shërbimit urgjent 24 orë ka nevojë për një projekt të ri, është spital i ri ka nevojë për organizime të reja, hapësirat i kemi. Besoj se së shpejti do ta funksionalizojmë pjesën e emergjencës 24 orëshe për të gjitha patologjitë urgjente në moshën pediatrike”, potencoi Koçinaj.
Përveç tjerash, Koçinaj potencoi se Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve është në pritje të pajisjes me vertikalen e gastroskopit dhe koloskopit, për ekzaminimin e traktit tretës.