BERZH: 80 milionë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) do të sigurojnë një shtesë më shumë se 80 milionë euro për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor pas shpërthimit të pandemisë së virusit korona.

BERZH bënë të ditur se do të sigurojë deri në 70 milionë euro në linja të reja kredie për institucionet financiare partnere për t’u dhënë hua bizneseve vendore në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Serbi.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian do të sigurojë 15 milionë euro për identifikimin dhe verifikimin e pajisjeve dhe teknologjisë më të mirë në dispozicion në mënyrë që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të rrisin konkurrencën e tyre dhe të mbështesin kalimin në një ekonomi të gjelbër.

Për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë së virusit korona, BERZH dhe BE kanë vendosur të sigurojnë fonde që do të mbështesin rimëkëmbjen, rritjen dhe rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Ne jemi shumë të përkushtuar në mbështetjen e kompanive në këto periudha të vështira. Ky angazhim dëshmon për partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndmor, “tha nënkryetari i BERZH, Pierre Elbron.

Komisioneri i Zgjerimit i BE, Oliver Varhei tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë jetike për ekonominë e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi duke përdorur bashkëpunimin tonë të gjatë me BERZH-in në rajon për të rritur mbështetjen tonë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – jo vetëm për t’i mbajtur kompanitë që të mbijetojnë, por edhe për të forcuar rezistencën e tyre si dhe për të hedhur themelet për një rikuperim të qëndrueshëm”, shtoi ai./21Media

Back to top button