Tiranë: Besa Tafilaj-Pinchotti nderohet me Çmimin “Madelene Albright”

Këto ditë, Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), organizoi në sallën qëndrore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, dhënien e Çmimit “Madelene Albright”, që mban në vlerësim e nderim emrin e ish Sekretares Amerikane të Shtetit, e cila ka dhënë një kontribut madhor për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, saqë u cilësua “Lufta Albright”.
Ky çmim i lartë, i ndarë për herë të parë nga Bordi i ACABS, iu dha një personaliteti të njohur shqiptaro-amerikan, gazetares aktive e spikeres (folëse e talentuar) të rrjeteve televizive amerikane (ABC etj.), veprimtares elitare të shoqërisë civile amerikane, Besa Tafilaj-Pinchotti, e cila ka mbi një dekadë Drejtoreshë për Avancim në NMFA e, kohët e fundit, Drejtore Ekzekutive (CEO) e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association), e cilësuar si organizata ma e çmuar e familjeve të pjestarëve të forcave të armatosura të SHBA, e themeluar një gjysëm shekulli më herët (1969).
Çmimi “Madelene Albright” mban motivacionin: “Për kontribute të çmuara në veprimtarinë e lartë si Drejtore Ekzekutive e Organizatës Kombëtare të Familjeve të Ushtarakëve të SHBA-ve (NMFA); për pasqyrimin me raportime ekskluzive për Luftën në Kosovë në Televizione Amerikane dhe si gazetare e folëse (prezantuese) në rrjetin televiziv amerikan ABC etj.; për përpjekje të vazhdueshme e arritje të mira në forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane”.
Ambasadori , Dr. Islam Lauka- President i ACABS, ish ambasador i parë i Shqipërisë në Kosovë, ish Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ia dorëzoi Çmimin “Madelene Albright”, nënës së Besa Tafilaj-Pinchotti, znj. Diana Tafilaj, profesore e shkencave filologjike, e cila kishte ardhur nga Teksasi i Amerikës për këtë event të dekorimit të vajzës së saj meritore./21Media

Back to top button