Besim Hasani garon për deputet në listën e PDK-së

Kryetari i Partisë Demoratike të Kosovës Bedri Hamza, ka njoftuar se ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, do të garojë për deputet në listën e kësaj partie.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hamza ka thënë se Kosova sot ka nevojë për profesionistë që sjellin përvojë, qetësi dhe rezultate.
“Prandaj, me respekt e mirëprita Besim Hasanin në listën tonë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Besimi bëri punë të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës në familjen olimpike botërore, duke hapur një epokë të re për sportin tonë dhe për medaljet që erdhën më pas. Kontributi i tij është një shembull i vizionit dhe përkushtimit”, ka shkruar Hamza.
Hamza u shpreh i bindur se me njerëz të tillë, Kosova ecën përpara.
“Bashkë, me energji të re dhe besim të plotë, do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë”.