Besnik Mustafa i quan shantazhime dhe kërcënime akuzat e Vetëvendosjes

Besnik Mustafa, djali i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas videos që ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje, për terminalet doganore.
Mustafa ka thënë se kompania “Intereuropa” është kompani sllovene me seli në Koper të Sllovenisë, por siç ka theksuar ai, pushteti po e bën këtë kompani sllovene dhe terminalin e saj si të familjes sonë.
“Pushteti për nevoja të propagandës, kompaninë sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes tonë. E gjithë kjo për të shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim. E unë u them, urdhëroni dhe konfiskoni ose mbylleni këtë kompani, por do të keni punë me shtetin slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë. Por, para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë”, ka shkruar Mustafa në Facebook, duke shtuar se Qeveria ka gjitha mundësitë të sqarojë pronësitë e kompanive e themeluesit e tyre.
“Jeni në pushtet, i keni të gjitha mundësitë për të sqaruar pronësitë e kompanive, themeluesit e tyre dhe fitimet që ato i realizojnë edhe në rastin e terminalit që na e mveshni neve, që në fakt është gënjeshtër e konstruktuar, si për pronësinë ashtu edhe për fitimet. Për gjera të tilla, shantazhim, tentime frikësimi konstruksione të rrejshme edhe bartësit e pushtetit japin llogari para ligjit”, ka shkruar tutje Mustafa./21Media

Back to top button