Betohen edhe 257 ushtarë të rinj, Osmani: Anëtarësimi në NATO i domosdoshëm

Nga sot Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar edhe 257 ushtarë të rinj. Në ceremoninë e betimit të këtyre rekrutëve të rinj e cila u mbajt në kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë numër të rekrutëve FSK-ja gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.
Presidentja s u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri dhe se në këtë drejtim po punojnë në përgatitjen më të mirë të ushtrisë së Kosovës.
“FSK-ja çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s falë këmbëngulësisë të pjesëtarëve të saj dhe mbështetje të përhershme nga institucionet e vendit, por edhe nga aleatet tanë perëndimor e para se gjithash nga SHBA-ja”, tha presidentja.
Osmani u shpreh se ushtria jonë po i shton radhët me vajzat dhe djemtë të rinj që atdhedashurinë po e transformojnë edhe në profesionalizëm. Derisa ka inkurajuar vajzat dhe gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë.

Ministri i Mrojtjes, Armend Mehaj tha se Kosova nuk do të mund të ishte këtu ku është tani pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, derisa u shpreh se komandant i përjetshëm i ushtrisë së Kosovës është Komandanti Legjendar, Adem Jashari.
Ndërsa, theksoi se investimet në ushtri, blerja e pajisjeve dhe mirëqenia e ushtrisë mbetet prioritet i tyre.

Back to top button