Bisilmi thotë se ka mbetur edhe një hap për liberalizim të vizave

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se ka mbetur edhe një votim i fundit në përmbylljen e procedurave për liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se pas votimit të Këshillit të Ministrave të BE-së me 9 mars, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) votoi ditën e sotme tekstin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, duke hapur kështu rrugën pёr votimin e fundit të mbetur nё seancën plenare tё Parlamentit Evropian.

“Pas hapit të fundit në seancën e Parlamentit Evropian, i cili pritet të mbahet me 18 prill, do të mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së.Në përfundim të këtyre procedurave të fundit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, jo më larg se 1 janari i vitit 2024, duke i dhënë kështu fund një pritjeje të gjatë.”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme e ka votuar në lexim të dytë projekt-rekomandimin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian.Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ishte raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.Më 9 mars, Këshilli i Ministrave të BE-së ka miratuar në lexim të parë propozimin për lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Procedura e radhës u bart në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) për një votim të sërishëm./21Media

Back to top button