Bislimi: Asociacioni është “Kali i Trojës” i Beogradit për ta bërë vendin jofunksional

Zëvendës kryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është “si Kali i Trojës” së Beogradit, me qëllim për ta bërë Kosovës shtet jofunksional.

“Kosova ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për arsyet e vërteta të Serbisë për insistimin në formimin e Asociacionit. Asociacioni nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por si kali i Trojës së Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, ka shkruar Bislimi në një seri cicërimash në Twitter.

Bislimi tha se “Non-paper” i kohëve të fundit i hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve ofron dëshminë më të fortë deri më tani për synimi i vërtetë pas insistimit të Serbisë për Asociacionin në Kosovë.

Përmes disa pikave, Bislimi ka renditur arsyet pse krijimi i Asociacionit është i dëmshëm, njofton rtv21.tv.

Argumentet e Bislimit janë si vijon:

  1. Themelimi i Asociacionit nuk është një objektiv në vetvete, por përkundrazi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit kryesor të një “bote serbe” (Srpski svet) që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.
  2. “Srpski svet” është një evolucion i “Nacertanje” dhe duhet parë si Nacertanje e shekullit të 21-të.
  3. Dizajni fillestar i Asociacionit është i parëndësishëm, pasi kompetencat e tij do të evoluojnë dhe do të shfrytëzohen për shkak të mbështetjes financiare të Beogradit dhe mungesës relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës.
  4. Këto kompetenca do të çojnë përfundimisht në një Republika Srpska të re me qëllimin e ndarjes territoriale në mes të trevave shqiptare dhe serbe. Kjo pastaj do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të njohë ekzistencën e dy entiteteve kombëtare në Kosovë dhe autonominë absolute në zonat e Asociacionit.
  5. Kjo autonomi do të sjellë që serbët të kenë zero nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovës, duke e bërë kështu Asociacionin një “vezë qyqeje” në territorin e Kosovës.
  6. Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht dhe duhet të shfrytëzojë është epërsia ekonomike në rajon.
  7. Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “Srpski svet” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe.

Bislimi tha se Asociacioni i ofron Serbisë një bërthamë në qëllimin shekullor për të bashkuar serbët në një komb.

“Prandaj, themelimi i Asociacionit duhet të jetë imperativi kryesor për politikëbërësit serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të serbëve në një komb. Non-paper shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin, por duhet ta bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë insistimin e tyre”, përfundoi Bislimi. /21Media

Back to top button