Bislimi: Kosova dhe Serbia afër marrëveshjes për energjinë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë.
Në një intervistë për mediumin serb “N1”, Bislimi ka thënë se gjithçka është finalizuar.
“Udhërrëfyesi për energjinë është final. Do të thotë nuk ka më asnjë hapësirë për ndryshim të asnjë paragrafi nga 9 paragrafe sa përbën ky opsion. Ka mbetur vetëm një hap që të përfundohet nga ana e palës serbe e i cili presim të finalizohet gjatë javës së ardhshme e pastaj unë besoj që nuk ka asnjë arsye asnjëra palë që të thotë që nuk mund të fillojmë menjëherë me implementimin e marrëveshjes. Do të thotë gjithçka është e finalizuar ka vetëm edhe një kërkesë shtesë e cila nuk e prek marrëveshjen, e ne jemi dakorduar që aty këtu t’ua heqim edhe këtë palës serbe dhe pritet që kjo të përfundohet nga fundi i javës së ardhshme, por nuk mund të ndaj më shumë se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Bislimi.
Por i pyetur se a ka ndonjë afat se kur pritet të fillohet me implementimin e kësaj marreveshjeje, Bislimi ka thënë se janë paraparë 100 ditë.
“Tash menjëherë pasi ne të deklarojmë se jemi dakort me fillimin e implementimit, hapi i parë që do të bëhet është që rregullatori i energjisë në palën e Kosovës duhet të ndërmarrë vendimet e para e pastaj fillon implementimi i paragrafëve të tjerë të marrëveshjes dhe për gjithë këtë janë paraparë komplet 100 ditë”./21Media