Bislimi: Kushtetuesja do të vendosë për draftin e asociacionit

(Lajm i përditësuar)
Bislimi: Kushtetuesja do të vendosë për draftin e asociacionit
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur mbi takimin e sotëm me emisarin special për dialogun Miroslav Lajçak.
Ai ka theksuar se në agjendë ka qenë si pikë diskutimi për draftin e Asociacionit.
“I kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë siç e ka dhënë kryeministri më 26 tetor. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. Nuk kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga BE, andaj edhe nuk kemi diskutuar”, ka thënë Bislimi.
Ai ka theksuar se për draftin e asociacionit do të vendosë Gjykata Kushtetuese.
Bislimi: Pa nënshkrim të marrëveshjeve nuk mund të ecet drejt zbatimit
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se takimet e së enjtes në Bruksel kanë përfunduar pa një takim trepalësh, sepse nuk ka pasur nevojë për diçka të tillë.
Ai është takuar vetëm me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por jo edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit.4
Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë Marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.