Bislimi-Lajçakut: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut e as subjekt i negociatave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi gjatë takimit me Lajçakun ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatava mes palëve, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimësinë e mbështetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”, thuhet në njoftim.

Sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës, Bislimi ka kërkuar heqjen e tyre sa më parë duke i konsideruar të padrejta.

Zëvendeskryeministri Bislimi ka theksuar se marrëveshja bazë në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve.

Ai gjithashtu ka ngritur si shqetësim shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit të Kosovës.“Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”, vazhdon komunikata.

Në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës gjatë takimit u sqarua nga emisari Lajçak që anёtarёsimi nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.

Back to top button