Bislimi: Patëm dakordim fillestar që takimi i radhës i nivelit të lartë të mbahet më 22 prill

(Lajm i përditësuar)

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi,  se në takimin e sotëm në  Bruksel në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi ka pasur një dakordim fillestar që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet më 22 prill.

“Por në momentin e fundit nuk është aq e sigurt, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë. Po shqyrtojmë datë alterantive. Ideja është me këtë datë të prezantohet një draft-fillestar i Grupit të Menaxhmentit. Ka pak paqartësi se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht e si duhet të prezantohet”, tha kryenegociatori i Kosovës, Bislimi.

Ai tregoi se është disktuar për tema e energjisë e asteriskut e po ashtu çështjen e targave dhe atë  të pagjeturve.

“Kam raportuar se deri në fund të marsit ka pasur një zhvillim të mirë, por pas kërcënimeve e djegieve të veturave, në ditën e hënë nuk ka pasur vetura të regjistruara. Ka pasur kërkesa të Serbisë që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë e të mos vendosë masa ndaj këtyre. Mendoj se kjo periudhë ka kaluar, më nuk mund të diskutohet e as negociohet për targa vetëm se duhet të zbatohet. Po ashtu çka është më me rëndësi, kemi diskutuar për mënyrën si duhet të sekuencohen hapat e tjerë që janë pjesë të marrëveshjes bazike. Puna e marrëveshjes për të pagjeturit, njohjes së ndërsjellë të diplomave, mos obstruksionit të Serbisë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe elemente tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike”, deklaroi Bislimi.

Petkoviq, pas takimit në Bruksel: Jemi pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur

Takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka përfunduar në orët e vona të pasditës të së martës, 4 prill, në Bruksel.

Pas takimit, Petkoviq tha se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosvës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se është biseduar edhe për formimin e Asociacionit me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.

Ai tha se ka pasur bisedime edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit.

Petkoviq tha se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.

“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai.

Fillon takimi trilateral Lajçak-Bislimi-Petkoviq në Bruksel

Në orët e vona të pasdites të së martës, 4 prill, në Bruksel ka filluar takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.

Përmes një postimi në Twitter, Chollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.

Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviqin, i dërguari evropian shkroi në Twitter se veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për “çështjet aktuale urgjente”./Rel

Back to top button