Bislimi për zgjedhjet në veri: Duam politikanë që prioritet i kanë serbët vendas

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit synohet të depërshkallëzohet situata mes serbëve dhe shqiptarëve.
Ai deklaroi në “Euronews Serbia” të mërkurën se në zgjedhjet komunale të prillit, synohet të dalin politikanë që kanë prioritete për serbët e Kosovës, e vetëm për Serbinë apo individë.
“Ne përpiqemi të kemi institucione që do të përfaqësojnë qytetarët e tyre, do të promovojnë interesat dhe të drejtat e tyre. Deri më tani, Lista Srpska përfaqësonte një monopol dhe pluralizëm zero në veri, i cili nuk ishte domosdoshmërisht i fituar me mjete demokratike dhe që nuk kishte asnjë interes për të promovuar të drejtat e qytetarëve serbë në veri të vendit. Z.Rakiq e mbajti postin e ministrit për Komunitete për tetëmbëdhjetë muaj me zero propozime, zero projekte që kanë të bëjnë me promovimin e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në veri dhe në mbarë Kosovën. Ne do të dëshironim të shohim njerëz, individë, si dhe politikanë që do të jo vetëm interesi i një partie apo individëve në Serbi duhet të jetë prioritet, por interesi i të gjithë serbëve vendas”, deklaroi ai.
Për policët serbë të dorëhequr nga detyra, Bislimi deklaroi se shpreson se do të ketë aplikime , pasi siç u shpreh ai, ata që kanë shërbyer deri më tani, i janë përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se të dorëhequrit nuk mund të kthehen më në pozitat e dikurshme.
“Duhet të hapim konkurse të reja për pozita të reja, t’i mbushim me njerëz të rinj që duan ta zbatojnë ligjin në Kosovë dhe të jenë besnikë ndaj këtij vendi”, u shpreh ai.
Për plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë, zëvendëskryeministri i Kosovës shtoi se ngjarja mori vëmendje shumë të madhe, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur për raste të tjera.
“Incidenti që ndodhi në Shtërpcë mori publicitet të madh. S’është raportuar vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe gjerësisht. Kjo tregon dy gjëra: ndjeshmërinë e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe pritjet lidhur me zbatimin e mbrojtjes së pakicave në Kosovës. Kjo nënkupton se Kosovës i janë vendosur standarde të larta. Edhe një incident i tillë merr kaq shumë vëmendje mediale, por për shembull, nuk më kujtohet që institucionet tuaja të kenë raportuar ndonjëherë për Nezir Mehmetajn, që ka mbi dy vjet që ndodhet në burgun e Serbisë dhe është krejtësisht i pafajshëm”, deklaroi Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës në dialog u shpreh se pritshmëritë nga ana e Kosovës janë të mëdha, edhe në një incident “kur dikush përballet me një rrugë të bllokuar dhe qëllon në asfalt”.
“Të gjithë e dënojmë, të gjithë jemi të lumtur që personi është arrestuar dhe ne duam që sistemi juridik të marrë një vendim që i takon”.
I pyetur për deklarimet e opozitës se Qeveria Kurti i ka dëmtuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, Bislimi tha se Kosova kurrë s’ka pasur marrëdhënie më të mira.
“Këto janë rezultatet që ata (opozita v.j.) shpresojnë dhe duan të shohin mundësinë e kthimit të tyre në pushtet, që për ta barazohet me paratë, por nuk ka asgjë nga këto. Nëse shikoni numrin e vizitave që anëtarët e kabinetit tonë kanë jashtë vendit dhe anasjelltas, pra vizitat ndërkombëtare në Kosovë, do të shihni se marrëdhëniet tona nuk kanë qenë kurrë më të mira”.

Back to top button