Bislimi: Propozimi për heqjen e vizave serbëve me pasaporta të Serbisë, shkelje e sovranitetit

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me propozimin e Komisonit Evropian për për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.

Sipas Qeverisë Komisioni Evropian nuk e kakonsultuar apo informuar atë në lidhje me propozimin për heqjen e vizave bartësve të pasaportave të Serbisë të cilët jetojnë në territorin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, “shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e ka adresuar drejt instancave më të larta të BE-së, ndërsa i bëri thirrje BE-së që të rishqyrtojë propozimin, “i cili përmban shkelje të shumëfishta”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe. Ky propozim, nuk është diskutuar me

Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Bislimit njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës në të cilat është angazhuar prej vitesh.

“Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale”, ka thënë tutje.

Bislimi i ka bërë thirrje BE-së që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

“Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza. Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button