Bislimi: Serbia u tërhoq nga plani për djegien e Jarinjës

Zëvendëskryeministri për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se dje (e diele) Serbia nuk i ndaloi huliganët serbë por u tërhoq nga plani për djegien e Jarinjës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Bislimi tha se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.
“Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës”, shkroi Bislimi.
Ai tha se ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës, veçmas mekanizmat e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët.
“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, vijoi Bislimi.
Ai tha se siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, Kosova e ka aleat Perëndimin dhe SHBA-në.
“Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë”, përfundoi Bislimi.

Back to top button