Bislimi tha se vjet Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7%

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot u shpreh se gjatë vitit të kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7%.
Ai në seminarin e 102-të, Rose Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi se ka patur rritje të madhe në eksportet prej më shumë se 67% në baza vjetore, rritje të investimeve të huaja direkte dhe përpjekje të suksesshme në drejtim të formalizimit të ekonomisë.
“Gjithashtu, të hyrat buxhetore u rritën me mbi 30%. Ky progres, reflektohet dhe në rankimet botërore si rritje me 17 pozicione në indeksin e Transparency International e po ashtu 17 vende në indeksin e lirisë së medias, World Freedom. Ndërkohë, sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.”, shkroi Bislimi.
Ai, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se në seminarin e 102-të, Rose Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, foli edhe mbi agjendën e rëndësishme dhe ambicioze këtë vit të Kosovës, “ku tashmë kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është vendosur në krye të agjendës çështja e liberalizimit të vizave dhe është punuar me shtetet anëtare në këtë drejtim.”.
“Kemi shfaqur objektivin e aplikimit për anëtarësim në BE brenda këtij viti, kur kanë kaluar 6 vite që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Kosova mbetet vendi i vetëm i cili akoma nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.
Në agjendën e reformave evropiane dhe përafrimit me standartet e BE-së, është rritur me 70% numri i ligjeve të miratuara dhe proceduara në parlament gjatë vitit të fundit, në krahasim me vitin me numrin më të lartë që është 2008-ta. Një numër i konsiderueshëm i këtyre ligjeve, i përkasin fushës së sundimit të ligjit, që është dhe indikator i vëmendjes së Qeverisë ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, është shprehur objektivi për anëtarësim në NATO, duke nisur nga anëtarësimi në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.”, shkroi Bislimi.
Edhe Kryeministri Albin Kurti, sonte ka numëruar të arriturat e Qeverisë që udhëheq në ekonomi. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar për ndihmat që u kanë dhënë bizneseve përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike./21Media

Back to top button