Bislimi tregon se cila ishte tema e vetme që bisedoi me palën serbe

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi sot ka treguar se se çka ka biseduar me palën serbe në Bruksel. Ai ka theksuar se tema e vetme ishte për të pagjeturit.
Ai ka informuar se ka kërkuar të intensifikohen përpjekjet për gjetjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.


Ndërsa, dje kryeministri Albin Kurti pas takimit ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së  për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se ka vetëm një temë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve.
Ai ka shtuar se aktualisht mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës e Brukselit por jo edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ka vetëm një temë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve, e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe kjo me siguri se do të diskutohet në Bruksel, ndërkaq për çështjet e tjera ne kemi dhënë propozimet tona që natyrisht nuk janë pranuar. Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit mirëpo jo edhe me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, dje udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka konfirmuar se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, ka thënë Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve.
Takimi i 8 shtatorit është mbajtur pavarësisht se palët një ditë më herët kanë thënë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.
Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ka ndaluar hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit. Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë./21Media

Back to top button