Bislimi tregon se cilët janë hapat e mëtejshëm për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi i është gëzuar lajmit se në takimin e anëtarëve të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, u votua pozitivisht mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, ai ka treguar se cilët janë hapat e mëtejshëm drejt liberalizimit të vizave për Kosovën
“Hapi i radhës do të jetë votimi në seancën plenare në Parlamentin Evropian dhe më tej votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, para hyrjes në fuqi. Përshëndesim votimin pozitiv të sotëm dhe mirëpresim finalizimin e hapave të ardhshëm, deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për nisjen e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai.

Komisioni për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian, më 12 janar miratoi marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Bëhet fjalë për marrëveshjen që është arritur në dhjetorin e kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian, që atëbotë udhëhiqej nga Republika Çeke.
Vendimi u miratua në LIBE me 48 vota për, shtatë kundër dhe tri abstenime./21Media 

Back to top button