Bislimi udhëton në Bruksel, Borrell thërret liderët nëse ka përparim drejt marrëveshjes për targat

Do të takohet edhe me Lajçakun

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sonte ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të zhvillojë bisedime në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për portalin rtv21.tv ka thënë Bislimi atje do të takohet edhe me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takime në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë”, ka thënë Kadiu.
Ndërsa, ende nuk dihet në çfarë ore do të fillojnë këto takim.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se thërret liderët nëse ka përparim drejt marrëveshjes për targat.
“Kryenegociatorët do të nisin të punojnë këtu në Bruksel në hapat vijues; Do të nisin që sonte. Pala kosovare arrin sonte. Unë jam i gatshëm që të thërras liderët nëse negociatorët arrijnë të avancojnë drejt zgjidhjes praktike rreth çështjes së targave përpara 21 nëntorit. Ne nuk mund të arrijmë tek kjo datë pa një marrëveshje ose do të mbesim në duart e një situate të rrezikshme”, ka thënë Borrell.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata qysh nga viti 2011./21Media

Back to top button