Bislimi: Viti 2022 ishte i mbushur me suksese e sfida

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, konsideroi se viti 2022 ka qenë i mbushur me suksese e sfida.
Sipas tij gjatë vitit që po lëmë pas, Kosova ka shënuar rritje ekonomike, rritje të eksporteve, rritje të të hyrave doganore, rritje të të hyrave tatimore, rritje të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit.
Ndër të arriturat ai përmendi aplikimin për anëtarësim në KE, dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe përparimin në çështjen e liberalizimit të vizave.
“Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin. Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Vendi ynë, ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor kemi dorëzuar dhe aplikimin për anëtarësim në BE. Pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kemi ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024.”,  shkroi ai në Facebook.
Bislimi po ashtu përmendi edhe krizën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë.
“Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. U përballëm dhe me tentativat destabilizuese nga fqinji ynë verior, të cilat i përballuam me sukses e vendosmëri. Kosova është kontribues i stabilitetit, paqes, vlerave demokratike e fqinjësisë së mirë. Jemi eksportues të demokracisë, në rajon e Evropë. Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, por e dimë që ka ende punë për të bërë. Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja.”, përfundoi Bislimi./21Media

Back to top button