Blakaj reagon pas vendimit për rastin “Veteranët”: Ashtu siç pritej edhe ndodhi

 

Ish-prokurori i cili kishte hetuar listat e veteranëve të UÇK-së, Elez Blakaj, ka reaguar pas lirimit nga akuza të 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve. Sipas tij, në këtë proces gjyqësor publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale, siç tha ai, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin.

“Edhe një mundësi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së, pas një procesi të degraduar nga lakmiqar dhe tregtar votash, duke tentuar të mbahët peng e vërteta të cilën qytetari e din shumë mirë”.

Tutje, Blakaj ka shkruar se si është e mundur që asnjë provë e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-incizim nuk ka rrjedhur në publik apo ndonjë portal, sipas tij, ‘ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave’. “Pse nuk ka asnjë rezultat për hetimin e atyre të cilët kanë orkestruar, ndihmuar, dhe publikuar kundërligjshëm te dhënat personale të mijëra personave, të cilët sot janë të rrezikuar sa herë që udhëtojnë në vendet fqinje”, ka deklaruar përmes një shkrimi në ‘Facebook’.

Ish-prokurori gjithashtu ka shkruar se veteranët e UÇK-së duhet ta dinë, sipas tij, se Komisioni për Verifikimin e Statusit të Veteranit jo vetëm që nuk e ka përfunduar punën, por sipas tij edhe janë ‘tallur’ me procesin. “Ashtu siç duhet ta dini: Se pas përfundimit të luftës janë krijuar brigada e njësi të reja të cilat nuk kanë ekzistuar gjatë luftës, e për të cilët befasohën edhe vet disa nga komandantët gjatë punës se komisionit qeveritar; Se ka qënë një garë në mes rajoneve se kush po bën më shumë veteranë luftetarë; Se është fituar statusi e veteranit luftetarë për çështje votash; Se si anëtaret e komisionit qeveritar kanë akuzuar dhe shprehur pakënaqësinë ndaj njëri tjetrit, se pjesë e listave për veteranë janë persona që se meritojnë si dhe ka persona të cilët kanë qënë pjesë e UDB-së”.

Blakaj gjithashtu u ka bërë thirrje ish anëtarëve të Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Veteranit, që të publikojnë audio-incizimiet e mbledhjeve të këtij Komisioni.

Gjykata e Prishtinës sot ka shpallur vendimin  në rastin e njohur si “Veteranët”,  duke i liruar nga akuza 12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Back to top button