Kaloni te përmbajtja kryesore

Blerim Isufaj padit KPK-në, kërkon të anulohet konkursi i ri për Kryeprokuror të Shtetit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka ushtruar padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar të anulohet si i kundërligishëm vendimi i KPK-së i 18 majit 2026, për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Në padi, është parashtruar edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.

Në padinë për konflikt administrativ të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, Isufaj ka kontestuar vendimin e Këshillit për hapjen e konkursit, pa u shfuqizuar paraprakisht propozimi i vet, me të cilin për dekretim te Presidentja ishte propozuar pikërisht paditësi Isufaj.

Sipas padisë të cilën e përfaqëson avokati Artan Qerkini, vendimi i kontestuar i KPK-së nuk përmban këshillë juridike, në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme, gjë që njëkohësisht ka zgjatur afatin për ngritjen e konfliktit administrativ dhe konfirmon pasigurinë juridike që rrjedh nga vetë natyra e aktit.

Në padi theksohet se Isufaj është subjekt i legjitimitetit aktiv të padyshimtë, ngase ishte propozuar nga KPK-ja për dekretim si Kryeprokuror i Shtetit fillimisht në procesin e konkurrimit më 2022 dhe sërish me vendimin e 1 nëntorit 2023. Aty thuhet se ky propozim kishte krijuar pritshmëri legjitime te paditësi.

Ndërkaq, thuhet se vendimi i Këshillit për hapjen e konkursit të ri, i nxjerrë pa shfuqizim formal të propozimit paraprak, e prek drejtpërdrejt sferën juridike të paditësit, sepse anashkalon procedurën në të cilën ai aktualisht është subjekt aktiv, pa i dhënë mundësi as ta kontestojë formalisht paligjshmërinë procedurale të kalimit në një konkurs të ri.

Më tej, në padi thuhet se vendimi i kontestuar i përmbush të gjitha tiparet e aktit administrativ kushtetues, prodhon efekte juridike për një rreth të caktuar të personave apo individualisht për paditësin, dhe është i përfunduar në procedurën administrative.

Sa i përket kronologjisë së procedurës, në padi theksohet se pas mbylljes së procedurës së konkurrimit më 2022, KPK-ja bazuar në kompetencën kushtetuese dhe në Ligjin për KPK-në, kishte propozuar zyrtarish paditësin Isufaj për dekretim te Presidentja. Ky propozim është kontestuar nga kundërkandidatët, kontestime që kanë rezultuar në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk kanë konstatuar shkelje të procesit të konkurrimit, vlerësimit, përzgjedhjes dhe propozimit të paditësit, dhe se asnjëra nuk ka caktuar masë të përkohshme për pezullimin e procesit të emërimit.

Megjithëkëtë, në padi thuhet se atëkohë Presidentja Vjosa Osmani nuk ka nxjerrë asnjë akt formal lidhur me propozimin. Por, në tetor 2023 në një konferencë për medie dhe përmes një shkrese, kishte njoftuar refuzimin për emërimin e kandidatit të propozuar, por pa nxjerrë asnjë dekret, qoftë emërimi apo refuzimi.

“Arsyet e mosdekretimit janë komunikuar publikisht, gjë që juridikisht nuk përbën akt kushtetues, akt adiministrativ apo dekret me efekte juridike”, thuhet në padi.

Si pasojë e këtij bllokimi institucional, në padi thuhet se KPK-ja caktoi ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. E më 1 nëntor 2023 e ridërgoi për dekretim të njëjtin emër, e që as ndaj këtij propozimi nuk ka pasur akt formal nga Preidenca e as dekret pohues, refuzues apo vendim me arsyetim.

Më tej, thuhet se më 26 shkurt 2026, KPK-ja i është drejtuar Presidencës me një shkresë të re lidhur me këtë proces, mbi të cilin sërish nuk është vepruar. E në maj 2026, u.d presidentja, Albulena Haxhiu përmes një konference për medie dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, është deklaruar se propozimin për emërimin e Kryeprokurorit sipas konkursit të administruar nga KPK, e konsideron të mbyllur, e që paditësi thekson se as në këtë rast nuk është nxjerrë asnjë dekret apo vendim formal.

“Pa nxjerrë asnjë vendim të vetin formal me të cilin do të shfuqizonte ose tërhiqte propozimet e mëparshme, KPK më datën 18.05.2026 ka nxjerrë vendimin për shpalljen e konkursit të ri publik për të njëjtën pozitë. Vendimi është nxjerrë paralelisht me ekzistencën juridike të propozimit paraprak, pra në kushte të dy procedurave paralele në të njëjtën pozitë”, thuhet në padi.

Më tej, thuhet se vendimi në fjalë nuk përmban as këshillë juridike, as bazë ligjore eksplicite për shfuqizimin e propozimit paraprak, as arsyetim mbi statusin juridik aktual të paditësit në procedurën e mëparshme.

Paditësi thekson se parimi themelor i të drejtës administrative përcakton se një akt administrativ mund të anulohet, tërhiqet ose zëvendësohet vetëm përmes një akti tjetër administrativ të rangut të njëjtë, të formës së njëjtë dhe me arsyetim të shprehur shprehimisht.

“KPK, si organ publik kushtetues, nuk mund të krijojë dy procedura paralele juridikisht aktive për të njëjtën pozitë publike. Ose ekziston propozimi për paditësin i vlefshëm, e atëherë konkursi është juridikisht i pamundshëm, ose eksizton një vendim formal i shfuqizimit apo i tërheqjes së propozimit paraprak. Një vendim i tillë i dytë nuk është nxjerrë asnjëherë”, thuhet në padi.

Andaj, aty thuhet se mungesa e këtij vendimi, e bën aktin e kontestuar të kundërligjshëm edhe nga aspekti material edhe nga ai procedural.

Paditësi thekson se neni 109 (7) i Kushtetutës përcakton se Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti në bazë të propozimit të KPK-së. E që, në rastin konkret thuhet se kjo procedurë kushtetuese nuk është përmbyllur asnjëherë, sepse nga propozimi i KPK-së nuk është nxjerrë asnjë dekret as pohues e as refuzues.

“I tërë procesi i refuzimit për ta emëruar kandidatin e propozuar është menaxhuar përmes deklaratave publike dhe konferencave për shtyp, pa nxjerrë asnjëherë një akt formal që mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues ose ligjor”, thuhet në padi.

Kjo qasje, për të evituar kontrollin gjyqësor të vendimmarrjes së institucionit të Presidencës, thuhet se cenon kompetencën dhe pavarësinë kushtetuese e ligjore të KPK-së, por edhe të drejtat kushtetuese të kandidatit të propozuar.

“Sa kohë që Presidenca nuk ka nxjerrë asnjë akt formal, propozimi i KPK-së mbetet juridikisht aktiv”, thuhet në padi.

Kështu, sipas padisë, KPK nuk ka kompetencë vetëdeklaruese që ta vleresojë propozimin e vet si “të refuzuar” ose si “të heshtur” dhe të kalojë në procedurë të re. Por, thuhet se mbi boshllëkun juridik, të krijuar pa fajin e paditësit, KPK ka nxjerrë vendimin e vet të datës 18.05.2026.

“Nëse, përkundrazi, propozimi kualifikohet vetëm si veprim procedural brenda një procedure të vetme kushtetuese sipas nenit 109 (7), atëherë ajo procedurë nuk është përfunduar derisa organi dekretues të nxjerrë aktin formal, dhe sa kohë që procedura nuk është e përfunduar, KPK nuk mund të hapë një procedurë të dytë paralele. Në të dyja rastet, shpallja e konkursit të ri është juridikisht e palejueshme”, thuhet më tutje në padi.

Paditësi potencon se mungesa e kompetencës së Presidentit për të refuzuar propozimin e Këshillit konfirmohet edhe nga historiku kushtetues. Pasi më 2012 ishin propozuar amendamente kushtetuese sipas të cilave do t’i përcaktohej Presidentit kompetenca për të refuzuar vetëm njëherë propozimin për emërimin e Kryeprokurorit, me detyrimin që herën e dytë të veprojë sipas propozimit të Këshillit. Por, këto amendamente nuk janë miratuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës.

Aty thuhet se as Ligji për Këshillin Prokurorial nuk e parashikon mundësinë e institucionit të Presidentit për të refuzuar kandidatin e propozuar për Kryeprokuror.

“Rrjedhimisht, duke nxjerrë vendimin e datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit të ri ende pa
u përmbyllur procesi i emërimit sipas propozimit paraprak, dhe pa asnjë dekret presidencial që
do të mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues, KPK i është vetë-nënshtruar një kontrolli
faktik politik, duke cenuar pikërisht pavarësinë e vet kushtetuese të garantuar me nenin 110 të
Kushtetutës”, thuhet në padi.

Gjithashtu, paditësi ka theksuar se korniza juridike parashikon mekanizmin e dekretimit në heshtje pas
afatit prej 60 ditësh për prokurorët e zakonshëm dhe gjyqtarët, mekanizën ky që thuhet se pamundëson kthimin e mosveprimit presidencial në bllokim të përhershëm institucional të procedurës. Kurse, për pozitën e Kryeprokurorit, ky mekanizëm nuk është parashikuar shprehimisht.

Kështu, thuhet se trajtimi i pabarabartë i paditësit si i propozuar i KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit, krahasuar me prokurorët e tjerë të propozuar nga i njëjti organ, përbën diskriminim faktik në qasjen në funksion publik, në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës dhe nenin 14 të KEDNj-së në lidhje me nenin 6 të saj.

Gjithnjë sipas padisë, neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së garantojnë të drejtën për vendimmarrje brenda afatit të arsyeshëm. Andaj, thuhet se paditësi është mbajtur në një gjendje juridike të pacaktuar për më shumë se katër vjet, pa marrë asnjëherë një vendim formal mbi statusin e propozimit të tij.

Kjo periudhë, thuhet se në vetvete përbën shkelje të standardit të afatit të arsyeshëm dhe është shumëfish më e gjatë se afati që ligji e toleron për kategori të krahasueshme funksionarësh.

Propozimi nga organi kushtetues kompetent, sipas padisë, ka krijuar te paditësi një pritshmëri legjitime objektive, e mbështetur në bazë konkrete juridike, e jo në pritje subjektive të thjeshtë. Kjo pritshmëri, thuhet se është shprehje e parimit të “mbrojtjes së besimit legjitim”, parim themelor i së drejtës administrative kontinentale.

Vendimi i kontestuar i datës 18.05.2026, duke hapur procedurë paralele pa shfuqizim formal të propozimit paraprak, paditësi pretendon se e shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë pritshmëri legjitime dhe njëkohësisht e privon paditësin nga mundësia për të kontestuar formalisht statusin e propozimit të tij. Kjo thuhet se e bën aktin të papajtueshëm me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

”Mungesa e këshillës juridike ka dy pasoja: e para zgjat afatin për ngritjen e konfliktit administrativ sipas nenit 18 të LKA-së; e dyta konfirmon se vetë KPK nuk e ka të qartë natyrën juridike të aktit të vet. Kjo paqartësi sistematike është në vetvete shkelje e parimit të qartësisë normative, komponent thelbësor i sundimit të ligjit”, thuhet në padi.

Në padinë që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, theksohet se vendimi i KPK-së për shpalljen e konkursit të ri është i paligjshëm dhe cenon të drejtat kushtetuese të paditësit sipas neneve 24, 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe neneve 6 dhe 13 të KEDNJ-së, por edhe pavarësinë institucionale të Këshillit Prokurorial sipas garancive të nenit 110 të Kushtetutës, përfshirë parimin e sigurisë juridike.

Në padi thuhet se qasje të tilla tashmë janë konstatuar si shkelje të Konventës në praktikën e konsoliduar të GjEDNj-së në rastet (Sobczyńska dhe të Tjerët kundër Polonisë; Grzęda kundër Polonisë; Kövesi kundër Rumanisë; Stoianoglo kundër Moldavisë).

“Sipas nenit 22 par. 2 të Kushtetutës, KEDNJ-ja zbatohet drejtpërdrejt dhe ka epërsi mbi ligjet e zakonshme, ndërsa nenet 53 dhe 54 të Kushtetutës e bëjnë të detyrueshme jurisprudencën e GjEDNj-së për autoritetet publike. Praktika relevante e GjEDNj-së sjell orientime të qarta për rastin konkret”, thuhet në padi.

Bazuar në padi, thuhet se precedenti më i drejtpërdrejtë për rrethanat e kësaj padie është aktgjykimi i posaçëm i nxjerrë në çështjen Sobczyńska dhe të tjerët kundër Polonisë (Aktgjykim i 21 majit 2026).

“Në atë rast, parashtruesit ishin kandidatë që kishin kaluar me sukses procedurat konkurruese për pozita gjyqësore dhe ishin propozuar për emërim, por Presidenti i Republikës refuzoi t’i emëronte pa dhënë asnjë arsye, ndërsa gjykatat administrative dhe Gjykata Kushtetuese refuzuan ta shqyrtonin këtë refuzim, duke e konsideruar atë akt diskrecional që nuk i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Gjykata konstatoi shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë, duke theksuar se, meqenëse parashtruesit nuk ishin informuar për arsyet e refuzimit dhe nuk kishin pasur mundësi ta kontestonin atë, ata nuk ishin mbrojtur ndaj asaj që në mënyrë legjitime mund të dyshohej se ishte një vendim arbitrar”, thuhet në padi.

Sipas padisë, parimet e këtij aktgjykimi janë drejtpërdrejt të zbatueshme edhe në rastin konkret.

“Edhe në rastin konkret (a) ishte zhvilluar një proces konkurrues që nuk kishte rezultuar në asnjë konstatim parregullsie nga gjykatat; (b) Këshilli kishte propozuar kandidatin në mënyrën e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj; (c) emërimi ishte refuzuar de facto pa asnjë bazë kushtetuese e ligjore; dhe (d) nuk ishte nxjerrë asnjë dekret formal që do të mund t’i nënshtrohej kontrollit gjyqësor dhe kushtetues. Vendimi i KPK-së i datës 18.05.2026 jo vetëm që e ratifikon këtë bllokim de facto, por e thellon atë, duke i mohuar paditësit çdo epilog formal të kontrollueshëm”, thuhet në padi.

Paditësi përmend edhe raste të tjera, derisa thekson se në aktgjykimin në rastin KI214/21, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se gjykatat janë të detyruara, pra kanë kompetencën, për të shqyrtuar dekretet e Presidentit të Republikës dhe se refuzimi për të bërë një gjë të tillë cenon të drejtën për qasje në drejtësi sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.

“Rrjedhimisht, teza se vendimmarrja lidhur me emërimin e Kryeprokurorit do të ishte e papajtueshme me kontrollin gjyqësor është e papranueshme në rendin kushtetues të Kosovës, dhe një bllokim i tillë i pakontrollueshëm nuk mund të shërbejë si bazë që KPK të hapë një procedurë të re”, thuhet në padi.

Andaj, paditësi ka paraqitur kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit me të cilin u shpall konkursi i ri për Kryeprokuror të Shtetit. Kjo kërkesë u paraqit në bazë të neneve 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Sipas nenit 100 par. 1 të LKA-së, Gjykata mund të vendosë shtyrjen nëse plotësohen kumulativisht dy kushte, të cilat në rastin konkret janë përmbushur plotësisht, duke e bëre shtyrjen masë të domosdoshme, proporcionale dhe urgjente”, thuhet në padi.

Kushti i parë ka të bëjë me atë se ekzekutimi i vendimit do t’i shkaktonte paditësit dëm të rëndë e të pariparueshëm.

Dëmi që rrjedh nga ekzekutimi i vendimit të kontestuar nuk është hipotetik dhe nuk varet nga rezultati përfundimtar i konkursit. Ai realizohet menjëherë në momentin kur konkursi hyn në fazën operative, qysh me hapjen e afatit për pranimin e aplikacioneve”, thuhet në padi.

Tutje, bazuar në padi thuhet se aktualisht Isufajgëzon një status juridik të veçantë dhe të papërsëritshëm.

Është personi i vetëm në Republikën e Kosovës që mban cilësinë e kandidatit të propozuar nga organi kushtetues kompetent për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pa shkëputje formale të kësaj cilësie nga organi dekretues. Ky status nuk është pritshmëri abstrakte, por pozitë juridike e fituar përmes akteve të rregullta të KPK-së, që e dallon paditësin nga çdo kandidat tjetër aktual ose i mundshëm”, thuhet në padi.

Sipas padisë, sapo kandidati i parë i ri të propozohet për dekretim në kuadër të konkursit të datës 18 maj 2026, ky status i veçantë do të shuhet.

Ky transformim është i menjëhershëm, i pakthyeshëm dhe nuk mund të restaurohet me asnjë vendim të mëvonshëm gjyqësor: edhe sikur kjo Gjykatë ta anulonte më vonë vendimin e kontestuar, statusi i fituar nga paditësi nuk do të mund të kthehej në formën e tij origjinale, sepse fakti i hapjes së konkursit paralel do të kishte prodhuar tashmë pasoja të pakthyeshme. Përtej kësaj, vazhdimi i procedurës do të çonte në një gjendje fakti të kryer, ku do të mund të propozohej dhe eventualisht dekretohej një kandidat tjetër, duke ia hequr çdo efekt të dobishëm praktik një vendimi të mëvonshëm gjyqësor në favor të paditësit”, thuhet tutje në padi.

Bazuar në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se dëmi është i pariparueshëm.

Është analog me situatën e trajtuar nga GjEDNj-ja në çështjen Sobczyńska dhe të Tjerët kundër Polonisë, ku humbja e mundësisë reale për mbrojtje efektive të  drejtave, në mungesë të një akti formal të kontrollueshëm, u konstatua si cenim i së drejtës për qasje në gjykatë”, thuhet tutje në këtë padi.

Tutje, kushti i dytë, sipas padisë, ka të bëjë me atë se shtyrja e ekzekutimit të vendimit, nuk i bie ndesh interesit publik dhe nuk i shkakton dëm të madh palës kundërshtare ose palës së tretë.

Interesi publik në këtë rast nuk dëmtohet nga shtyrja, përkundrazi mbrohet pikërisht përmes saj. Aktualisht funksionin e Kryeprokurorit e ushtron Ushtruesi i Detyrës i caktuar nga vetë KPK, prandaj vazhdimësia institucionale e Prokurorisë së Shtetit është plotësisht e garantuar. Po ashtu, KPK nuk i nënshtrohet asnjë afati ligjor detyrues që do ta bënte konkursin e datës 18.05.2026 të paafatshëm; vetë fakti se KPK ka toleruar pasivitet të Presidencës prej më shumë se dy vjetësh tregon se nuk ka emergjencë institucionale që e justifikon ekzekutimin e menjëhershëm”, thuhet në padi.

Përkundrazi, sipas padisë, interesi publik suprem kërkon që, para se të hapet një procedurë e re që mund të prodhojë akte përfundimtare të pakthyeshme, të zgjidhet paraprakisht çështja juridike e statusit të procedurës paraprake.

Vazhdimi i konkursit pa u përmbyllur ligjërisht procesi paraprak do të legjitimonte një shkelje kushtetuese, do të minonte besimin e publikut te institucionet e drejtësisë dhe do të cenonte thellësisht pavarësinë kushtetuese të Këshillit Prokurorial, duke krijuar precedent të rrezikshëm sipas të cilit emërimi i Kryeprokurorit do të mbetej në diskrecion absolut e të pakontrolluar. Sipas neneve 99 dhe 100 të LKA-së, shtyrja është gjithashtu e domosdoshme për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të paditësit sipas neneve 24, 31, 32, 53 dhe 54 të Kushtetutës”, thuhet tutje në padinë e Isufajt ndaj KPK-së.

Andaj, Isufaj ka kërkuar t’i aprovohet padia si e bazuar dhe të anulohet si i kundërligishëm, vendimi i Keshillit Prokurorial të Kosovës i datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, me padi ka kërkuar të konstatohet se vendimi i Këshillit i datës 1 nëntor 2023, me të
cilin paditësi Isufaj është propozuar për dekretim si Kryeprokuror i Shtetit, është ende në fuqi dhe prodhon efekte juridike, për arsye se nuk është konsumuar nga asnjë akt formal i organit dekretues dhe as nuk është shfuqizuar apo tërheque nga vetë e paditura KPK përmes një akti formal të rangut dhe formës së njëjtë.

Isufaj ka kërkuar që të konstatohet se Këshilli nuk ka kompetencë të ndërmarrë asnjë veprim apo të nxjerrë akt të ri për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke përfshirë pa u kufizuar shpalljen e konkursit publik dhe çdo veprim përgatitor apo zbatues të tij, derisa propozimi i datës 01.11.2023 për dekretimin e paditësit Isufaj të mos jetë shfuqizuar formalisht nga organi dekretues kushtetues përmes një akti me arsyetim të shprehur, në përputhje me procedurën e nenit 109, paragrafi 7 të Kushtetutës dhe me parimin themelor se asnjë akt administrativ nuk mund të zevendësohet pa u shfuqizuar paraprakisht për es një akti tjetër administrativ të rangut dhe formës së njëjtë.

Po ashtu, me padi është kërkuar që të detyrohet KPK t’ia kompensojë paditësit shpenzimet e procedurës sipas tarifës së OAK-së. Njëkohësisht, ka propozuar që Gjykata, sipas nenit 100 të LKA-së, të nxjerrë aktvendim për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ- konkretisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen përfundimtare të kësaj çështjeje në konflikt administrativ.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button