Blerja e teksteve shkollore nga prindërit, MAShTI nuk i njoftoi drejtorët komunalë

Tekstet shkollore pritet të blihen nga prindërit, MASHTI do t’ua rimbursojë paratë, opozita kundërshton

(Lajm i përditësuar)


Blerja e teksteve shkollore nga prindërit, MAShTI nuk i njoftoi drejtorët komunalë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk janë informuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për ndryshim vendimi për pajisjen me tekstet shkollore për nxënësit.

Ibrahimi tha se ministrja Nagavci nuk i ka konsultuar drejtorët komunalë të Arsimit.

Ai bëri të ditur se takimin lidhur me sfidat e fillimit të vitit shkollor 2022/23 do ta mbajnë të mërkurën, ku tha se presin që të jetë edhe ministrja e Arsimit dhe që të diskutojnë lidhur me paralajmërimet e sotme.

“Nuk kemi qenë të involuar e as të informuar për këtë nismë. Ministrja Nagavci Nagavci nuk i ka informuar drejtorët komunalë për vendimin e ri për tekstet shkollore. Mbetet të shihet se si është menduar të realizohet kjo. Pasnesër kemi takim me drejtorët komunalë dhe të Kolegjiumit lidhur me sfidat e fillimit të vitit të ri shkollor dhe aty është e ftuar ministrja Nagavci”, u shpreh ai për kp

Ndryshe, e para e MAShTI-t, Arbërie Nagavci njoftoi sot se librat shkollorë do të blihen nga prindërit dhe se ministria do t’i transferojë paratë. Kjo nxiti reagime, sidomos nga opozita, të cilët kritikuan se mbi 300 mijë familje do të obligohen t’i blejnë librat vetë. Ndërsa nga shtëpia botuese “Dukagjini” deklaruan se kanë ofertuar te Ministria e Arsimit më lirë se vitin e kaluar.


Ironizon Blerta Deliu: Libra edhe bukë s’kemi me ju dhanë, ama ekstazi sa të doni

Deputetja e PDK- së, Blerta Deliu reagoi pasi Ministrja Nagavci sot njoftoi se MAShTI po shqyrton mundësinë që prindërve t’ua deponojë të hollat për blerjen e librave të fëmijëve.

Deliu me ironi shkroi  Libra edhe bukë s’kemi me ju dhanë, ama ekstazi sa të doni, duke iu referuar kështu edhe rastti të arrestimit të asambleistit të Vetëvendosjes, pasi që u zu me narkotikë në Tiranë.


Thaçi: Blerja e librave me pakicë nga prindërit po dilka më lirë se blerja e librave me shumicë nga shteti

Ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi,  është shpehur i habitur se si  blerja e librave shkollorë nga prindërit, për fëmijët e tyre, do të kushtonte më lirë sesa t’i blejë MASHT-i vetë, me shumicë.

Përmes një postimi në Facebook ai listoi prej argumenteve pse një konstatim i tillë nuk qëndron.

Thaçi gjithashtu përmendi fitimin shtesë të bizneseve, si dhe faktin se prindërve do t’u duhet kohë dhe para për transport, “sepse nuk iu vijnë librat as në shtëpi e as në shkollë”.


Zv. ministri i Arsimit për tekstet shkollore: Po bëhet që të pengohet abuzimi me buxhet të shtetit

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tha se në pesë vjetët e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për libra shkollorë, e kjo, sipas tij, pasi librat po shiten me çmim 27-30 euro.

“Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore nga shtëpitë botuese. Janë të papranueshme, të paarsyeshme dhe abuzuese çmimet e librave 27 e 30 euro. Sigurisht kjo nuk do të lejohet në qeverisjen tonë”.

Sipas tij  ideja që e propozoi MASHT-i, që prindërit t’i blejnë librat për fëmijët e tyre e të rimbursohen më pastaj nga ministria, po bëhet me qëllim që të pengohet abuzimi me buxhet të shtetit.

“Në anën tjetër, reagime të pritshme nga grupet e interesit për të mbrojtur abuzimet me tekstet shkollore. Kjo nuk kalon!”, reagoi ai në Facebook

 


Dreshaj i AAK-së: Të paaftë për të qeverisur, vetëm sa e rëndon skamjen e shumë familjeve

Deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se kjo që po ndodh me arsimin në Kosovë, nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë pas luftës, kjo si pasojë e njerëzve të paaftë në qeverisje.
Dreshaj ka thënë se qeveria po bënë lojë me emocionet e fëmijëve dhe me skamjen e familjarëve e gatishmërinë e mësimdhënësve.
“Dështimi i radhës i qeverisë, lajm i hidhur për nxënës, prindër e mësimdhënës. A thua pse edhe sivjet lojë me emocionet e fëmijëve, me skamjen e familjarëve dhe me gatishmërinë e mesimdhënësve, përkundër shumë pakënaqësive, që ky vit të fillojë me kohë. Cilat qenkan prioritetet menaxhuese të këtij vendi: shkollat e parinovuara, tekstet mësimore te pakontraktuara, mësues e nxënës në shtëpi. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas lufte e madje as gjatë viteve të okupimit, viteve të 90-ta. Krejt kjo si pasojë e paaftësisë së njerëzve që sot qeverisin me vendin”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka shtuar se qeveria Kurti e ka vra shpresën dhe ardhmërinë e rinisë.
Si duket arsimin e kemi shumë mirë. Ky vend nuk paska nevojë për shkolla, as për tekste mësimore e madje as për mësimdhënës. Arsimi lehtë shkatërrohet, por vështirë riparohet. E vrave shpresën dhe ardhmërinë e rinisë, populli dhe vendi gjykohen në vdekje. Ju lus veproni, me fëmijë nuk bëhet eksperiment”, është shprehur Dreshaj.

Lushaku-Sadriu: Çmimi do të jetë 20% më i lartë, Qeveria Kurti ka vendosur t’i avulloj së paku 2 milionë euro

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu e quajti “veprim tipik popullist të Qeverisë Kurti” njoftimin e Ministres Nagavci se MAShT po shqyrton mundësinë që t’ua bartë prindërve në llogari parate për blerjen e librave për fëmijët.

Reagimi i Lushaku-Sadriut:

QYTETARËT E KOSOVËS DO TË PAGUAJNË RRETH 2 MILION EURO MË SHUMË PËR LIBRAT SHKOLLORË

Qeveria e Kosovës paska vendosur që familjet t’i blejnë vet librat shkollorë, meqë ka dështuar të negociojë çmimin për blerjen e tyre. Me këtë vendim u vërtetua dështimi i MASHT-it për të siguruar librat për vitin shkollor, për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.

Paramendoni, Shtëpitë Botuese e kanë vet në dorë të vendosin çmimin e librave. Ato nuk do t’i shesin librat me çmimin me lirim që do të ia ofronin Qeverisë, por çmimi do të jetë deri 20% më i shtrenjtë.

Paradoksalisht, qeveria do t’i rimbursojë familjet për librat që ata i kanë blerë 20% më shtrenjtë, ndërkohë që e quan këtë metodë të re për kursim parashë. Pra, sërish nga buxheti i shtetit qeveria do të paguaj-rimbursojë një shumë 20% më të madhe për blerjen e librave shkollore.

Në një postim në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se tani shtëpitë botuese e kanë në dorë të vendosin çmimin e librave, e që ai sipas saj do jetë 20% më i lartë.

Sipas Lushakut, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i avulloj 2 milionë euro.


Çitaku reagon me fotografinë kur Thaçi kishte marrë vendim që librat për nxënësit të ishin falas

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pasi Ministrja Nagavci sot njoftoi se MAShT po shqyrton mundësinë që prindërve t’ua deponojë të hollat për blerjen e librave të fëmijëve.

Çitaku ka thënë se mbi 300 mijë kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, dhe se do të jenë të pasigurt nëse do të rimbursohen ato para, shkruan rtv21.tv

Nënkryetarja e PDK-së në postim ka bashkangjitur  edhe një fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi.


​Shtëpia botuese “Dukagjini”: Kemi ofertuar te Ministria e Arsimit më lirë se vitin e kaluar

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka reaguar pas deklaratave të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila ka thënë se ka rritje të çmimeve të teksteve shkollore nga viti në vit. Në reagim thuhet se kjo shtëpi botuese ka bërë ofertë në ministri me çmim rreth 4% më lirë krahasuar me vitin e kaluar.

“Dukagjini” ka shkruar se është duke e përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë për librat për filloristët.

“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022. Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagim.

Ministrja Arbërie Nagavci ka deklaruar se janë duke e shqyrtuar mundësinë që t’i transferojnë mjetet financiare te prindërit dhe ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

Ajo ka thënë se ka dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore.

“Ka pasur dallime të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit dhe rritje të çmimeve, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese ”, ka deklaruar Nagavci në një konferencë për media.


Sygjerimi i Miftaratj: Të blihen libra nga klasa e parë në të pestën për Nagavcin e këshilltarët e saj

Tekstet shkollore pritet të blihen nga prindërit, MASHTI do t’ua rimbursojë paratë, kundërshton opozita

Pas njoftimit nga Ministrija e Arsimit, Arbërie Nagavci se po mundësia që mjetet për blerjen e teksteve shkollore tu kalohen në llogaritë e prindërve, reagoi Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi., raporton portali rtv21.tv

Sipas tij e udhës ishte të ndahen mjete financiare për blerjen e librave nga klasa e parë deri në te pestën edhe për Ministren Nagavci dhe këshilltaret e saj.

“Mbase i lexojne dhe e kuptojne rendesine e librit per veten e tyre, se mundesite qe te njejtit te punojne per arsimin ne Kosove jane Zero. Tre vite te shkuara dem me kete ministre dhe kete kabinet te saj.P.S. Pres komente ne mbrojtje te ministres nga ata qe i kane femijet ne shkolla private dhe jashte vendit.”, shkroi Miftaraj në Facebook./21Media


Bajrami-Nagavcit: Mos i lë fëmijët pa libra se këtë s’ta kanë borxh

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se MASHT-i po shqyrton mundësinë që paratë të barten në llogaritë e prindërve për blerjen e librave.

“Nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollor vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e gabuar, e vonuar që do të ketë pasoja për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre.”, ka shkruar Bajrami në Facebook, raporton portali rtv21.tv

Sipas Bajramit, MASHT-i ka dështuar pasi po i ngarkon prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat pasi sipas saj, ka marrë çmime të larta nga shtëpitë botuese.

“Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit? Mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it. Kush garanton se këto shtëpi botuese kanë me ulë çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat”, ka pyetur Bajrami.

“Vitin e kaluar fëmijët tanë e kanë humbë një muaj mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi.
Ministre, mos i merr në qafë fëmijët sepse kanë humbur një muaj mësim vitin e kaluar.Mos i lë fëmijët pa libra se këtë nuk ta kanë borxh.”, ka vijuar ajo.


Krasniqi quan skandal mosblerjen e librave shkollorë: Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë Hashim Thaçi

Sot Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se MAShT-i po shqyrton mundësinë që prindërit t’ua blejnë vet librat fëmijë, e më pas ata t’ia bartin ato në llogaritë e tyre bankare.

E një gjë të tillë po e kundërshton lideri i opozitës, Memli Krasniqi

Ai  e ka quajtur skandal një gjë të tillë .

“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar ai.

I pari i PDK-së më tej  ka thënë se prindërit janë të pasigurt nëse do të rimbursohen ato të holla që ata do t’ua blejnë fëmijëve librat.

“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas”, ka shkruar ai, derisa e ka quajtur “paaftësi qeverisëse”., ka shkruar ai./21Media


Tekstet shkollore pritet të blihen nga prindërit, Ministria e Arsimit do t’ua transferojë paratë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore për vite me radhë ka qenë mjaft sfidues, për shkak të shumë sfidave.

Ajo në një konferencë për media ka shtuar se është duke u shqyrtuar mundësia që mjetet për blerjen e teksteve shkollore tu kalohen në llogaritë e prindërve.

“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të bëhet në llogaritë e prindërve, brenda dy tri ditëve do të vendoset për këtë mundësi që po e shqyrtojmë. Gjithashtu kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-kosova dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, tha Nagavci.

Në anën tjetër zëvendësministri, Taulant Kelmendi, u shpreh se edhe këtë vit kemi zgjedhur ekipin negociues nga MASHTI i cili brenda afateve ligjore ka negociuar për çmimin e teksteve shkollore veç e veç për secilin libër.

Zëvendësministri tha se shtëpitë botuese nuk kanë pranuar për ulje të çmimeve.

“Pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përballueshëm për buxhetin e ndarë shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin. Së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë dhe kjo gjendje e krijuar është e papërballueshme për MASHTI-n dhe buxhetin e shtetit. Ne nuk mund të kalojmë asnjë skemë të keq shfrytëzimit të taksave të qytetarëve tanë”, tha Kelmendi.

Ai mori shembull se libri “Shoqëria dhe Mjedisi” i klasës së tretë bashkë me fletoren e punës kap shifrën 27 euro, ose një libër tjetër i klasës së katër me fletoren e punës në gjuhën boshnjake kap shifrën 30 euro.
“Kemi edhe shumë raste tjera të ngjashme të papranueshme ku libra për lëndë të caktuara kalojnë shifrën 25 euro Vetëm pesë viteve të fundit për blerjen e teksteve shkollore janë shpenzuar 51 milionë e 898 mijë e 744 euro”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se janë duke shqytar që mjetet të kalojnë tek prindërit në koordinim me MF-më, dhe që aplikimi të bëhet përmes e-kosova.

“Procesi është menduar të zgjasë jo më shumë se 10 minuta, dhe nëse veçse vendoset një gjë e tillë besoj që brenda shumë pak kohësh do të publikojmë edhe të dhënat dhe mënyrën sesi duhet aplikuar”, tha Kelmendi.

Back to top button