Haradinaj: Kurti është skenarist i mirë, e ka Dejonen ajo punë tjetër nuk bën

(Lajm i përditësuar)
Haradinaj: Kurti është skenarist i mirë, e ka Dejonen ajo punë tjetër nuk bën
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se nuk pret që situata politike të ndryshojë nga një individ, por nga qytetarët në zgjedhje, të cilët sipas tij mund ta ndryshojnë rezultatin dhe t’ia “marrin besimin” qeverisjes aktuale.
Ai tha se ekziston mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje brenda këtij viti.
“Nuk mendoj që do ta ndali unë, por mendoj që populli do ta ndryshojë rezultatin. Mos ta përsërisim gabimin, por t’ia marrim besimin. Deri në tetor mund të jemi prapë në zgjedhje. Është skenarist i mirë, e ka ‘Dejonen’, ajo punë tjetër nuk bën”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se, sipas tij, skena politike është e paqëndrueshme dhe mund të prodhojë zhvillime të reja në muajt në vijim.
Në këtë kontekst, Haradinaj përmendi edhe Vjosa Osmanin, duke thënë se në një situatë tjetër politike ajo do të kishte marrë mbështetje edhe si e nominuar për poste të larta.
Haradinaj: AAK do të jetë befasi në zgjedhje
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e tij nuk ka qenë asnjëherë bllokuese në proceset politike dhe se ka ofruar zgjidhje për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Ai tha se situata politike tani është e re dhe se të gjitha partitë po punojnë në terren, duke shprehur bindjen se AAK nuk do të jetë faktor bllokues as në mandatin e ardhshëm.
“Në asnjëherë nuk kemi qenë bllokues, kemi bërë oferta për të votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Tash është situatë e re dhe besoj që nuk do të jemi bllokues në mandatin e ardhshëm,” u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se rezultatet zgjedhore shpesh sjellin befasi dhe se edhe rezultati i Albin Kurti në të kaluarën ka qenë i papritur për shumëkënd.
“Jam i bindur që do të jemi befasi. Zgjedhjet janë befasuese, edhe rezultati i Kurtit ka qenë befasi. Unë çka po shoh në terren është ndryshim,” tha ai.
Haradinaj përmendi gjithashtu pritje të larta elektorale, duke sugjeruar se mbështetja për AAK-në mund të jetë mbi 60% në disa zona, sipas tij.
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur për zhvillimet brenda partisë dhe rolin e, Ardian Gjinit, duke e vlerësuar atë si një nga kuadrot më të përgatitur politikisht.
Sipas tij, procesi i ndryshimeve brenda AAK-së ka qenë i diskutuar dhe jo i papritur, duke theksuar se partia ka kaluar përmes sfidave dhe sukseseve në qeverisje dhe bashkëqeverisje.
Haradinaj tha se Gjini është një figurë e njohur dhe e respektuar në Gjakovë dhe brenda AAK-së, duke e cilësuar si të shkolluar, të pjekur dhe me përvojë të gjatë politike.
“Ne kemi pasur fitore absolute në Gjakovë me Ardian Gjinin. Është kuadër i pjekur, i zoti, e ka transformuar Gjakovën. Nuk ka më mirë se Ardian Gjini,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Kosova duhet t’i japë mundësi Gjinit për të qeverisur në nivel nacional, duke e konsideruar atë si një alternativë serioze për drejtimin e vendit.
“Është një mundësi e artë që Kosova t’i japë shansin Ardian Gjinit për të qeverisur. AAK do të jetë befasi e mirë,” deklaroi Haradinaj.
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur për konceptin e sigurisë, duke theksuar se ajo nuk kufizohet vetëm në aspektin ushtarak apo fizik, por përfshin edhe sektorë të tjerë jetikë për shtetin.
Sipas tij, siguria përfshin energjinë, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve, duke e cilësuar këtë si pjesë të rëndësishme të sigurisë kombëtare.
“Termi siguri nuk nënkupton vetëm siguri fizike me kallashnikov në kufij. Siguria nënkupton gjithçka, përfshirë energjinë dhe zhvillimin. Edhe energjia e re është pjesë e sigurisë kombëtare,” u shpreh ai.
Duke folur për rolin e NATO-s, ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës është i mundur nëse arrihet mbështetja e duhur ndërkombëtare.
“Me lobim të mirë, mund të bindim partnerët se është në interes të përbashkët dhe shumë shpejt mund të jemi pjesë e NATO,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se qytetarët duhet të ndihen më të sigurt, pa frikë për të ardhmen, duke theksuar se stabiliteti politik ndikon drejtpërdrejt edhe në investime të huaja në Kosovë.
“Term i hidhur për Kosovën”, Haradinaj kundër krijimit të xhandarmërisë
Kandidati i AAK-se për deputet, Daut Haradinaj, në emisionin “Click” të RTV21 u shpreh se pas çlirimit të vendit në vitin 1999, me ndërhyrjen e NATO dhe SHBA-së, Kosova ka ndërtuar institucione funksionale si shtetin, ligjet, prokurorinë dhe gjykatat.
“E di që zullumqarët në Kosovë i kemi larguar në vitin 1999 me Amerikën dhe NATO-n. Kosova ka shtet, ka ligje, ka prokurori, ka gjykata. Ky fjalor është për konsum të tij. Flet 40 minuta pa projekte, vetëm duke bërë fall si Burdushi në një formë,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai shtoi se, sipas tij, një diskurs i tillë “ofendon inteligjencën e qytetarëve” dhe se shqiptarët nuk duhet të etiketohen si “zullumqarë”, duke theksuar se Kosova nuk ka pasur një kategori të tillë pas luftës.
Haradinaj vlerësoi se deklaratat e Kurtit nuk i shërbejnë as vetë atij politikisht dhe as debatit publik në vend.
Haradinaj: Qytetarëve u premtohen projekte nga LVV-ja, por nuk dihet ku janë
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, ka deklaruar se në Kuvend ka pasur raporte korrekte me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por jo bashkëpunim politik me ta.
Në një intervistë televizive në RTV21, Haradinaj tha se në disa raste ka mbështetur iniciativa ligjore, por ka mbetur kritik për përmbajtjen dhe mënyrën e zbatimit të tyre.
“Unë personalisht në Kuvend kam pasur raporte korrekte me deputetët e VV-së, pa përjashtim. Por nuk kemi pasur bashkëpunim politik. Kam votuar ligjin për sigurimin shëndetësor, por kam mbajtur qëndrim kritik për përmbajtjen e tij”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se edhe në rastin e ligjit për lojërat e fatit ka pasur mbështetje parimore, por me vërejtje për mungesën e zbatimit në praktikë.
“E kam përkrahur ligjin për lojërat e fatit, por ka pasur mangësi. Për shembull, është folur për ndërtimin e palestrave, por qytetarët nuk e dinë se ku janë duke u ndërtuar ato në realitet”, tha ai.
Haradinaj kritikoi edhe mungesën e investimeve në infrastrukturë sportive, duke përmendur mungesën e një objekti të rëndësishëm.
“Në Kosovë nuk kemi as një pishinë olimpike, ndërsa në publik vazhdimisht thuhet se do të ndërtohet, por nuk shihet asgjë konkrete”, u shpreh Haradinaj.
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj në ”Click” të RTV21 ka ngritur shqetësime lidhur me sektorin e energjisë elektrike dhe marrëdhëniet politike në Kuvendin e Kosovës, duke pretenduar se disa procese kanë prodhuar pasoja financiare dhe politike për vendin.
Haradinaj tha se ka shifra shqetësuese për përfitimet që, sipas tij, Serbia mund të ketë nga sistemi energjetik i Kosovës.
“Sektori i energjisë elektrike dhe shifrat janë marramendëse sa i përket përfitimeve që Serbia ka nga buxheti i Kosovës”, u shpreh Haradinaj.
Ai përmendi gjithashtu bashkëpunime të votimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
“Dy herë janë bashkuar votat në Kuvendin e Kosovës mes VV-së dhe Listës Serbe, rasti i parë ka qenë ligji për pagën minimale”, tha ai.
Haradinaj kritikoi edhe mënyrën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se ajo nuk po sjell përfitime të barabarta për Kosovën.
“Fatkeqësisht, marrëveshja e Ohrit po zbatohet në pika ku Kosova atakohet dhe jo ku përfiton”, deklaroi ai.
Haradinaj, ka përmendur edhe çështje të identitetit dhe regjistrimeve të qytetarëve duke e lidhur atë me zhvillime historike dhe politike në vend.
“Çika e Rankoviqit sot është shtetase e Kosovës, banore e Gjakovës dhe per fat te keq jeton në një lagje që man emrin e një luftëtarit me mbierin ”Qymyri”, u shpreh ai.
Ai theksoi se procese të tilla janë pasojë e zhvillimeve të kaluara dhe mënyrës së zbatimit të marrëveshjeve dhe institucioneve në vend.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Daut Haradinaj, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është themeli i shtetit dhe institucioneve të tij, duke kundërshtuar çdo përpjekje për, siç u shpreh ai, përjashtimin e saj nga diskursi publik dhe politik.
Haradinaj tha se çdo tentativë për të krijuar ndarje rreth rolit të UÇK-së është e dëmshme për shoqërinë kosovare.
“E sheh mundësinë me e eliminu UÇK-në nga parlamenti, njëjtë siç është vepruar në Maqedoni. Unë mund t’i them kujtdo që mendon ashtu se UÇK-ja është themeluesja e parlamentit dhe e shtetit të Kosovës, dhe ne do të jemi edhe më të fortë se herat e tjera”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se Kosova ka kaluar një periudhë të vështirë lufte dhe nuk duhet të krijohen ndarje të reja në shoqëri mes qytetarëve dhe ish-pjesëtarëve të luftës.
“Kjo është fatkeqësi, sepse Kosova ka qenë në luftë me gjithë potencialin që ka pasur. Pas 27 vjetësh është e papranueshme të krijohen hendeqe të tilla mes qytetarëve. Nuk duhet të ketë ndarje mes çlirimtarëve dhe qytetarëve”, tha Haradinaj.
Sipas tij, edhe diaspora nuk duhet parë si e ndarë nga qytetarët brenda vendit.
“Nuk e shohim diasporën të ndarë nga qytetarët e Kosovës. Është e papranueshme të krijohen këto ndarje, dhe qytetari duhet ta kuptojë lojën politike”, u shpreh ai.
“Kurti e su*mon Ardian Gjinin sepse e di fuqinë e tij”, Haradinaj
Përfaqësues të AAK-së kanë vlerësuar punën e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, duke thënë se ai ka dëshmuar performancë në qeverisjen lokale dhe zhvillimin e qytetit.
Në një deklarim publik, përfaqësuesi i AAK-së tha se Gjini ka arritur ta shndërrojë Gjakovën në një nga qytetet më të zhvilluara në Kosovë, pavarësisht sfidave me buxhetin dhe mbështetjen qendrore.
“Qeveria e Kosovës për kokë banori në Gjakovë ka ndarë vetëm 25 cent. Nëse dikush del dhe e demanton këtë, do të kisha kënaqësi të përballem me të. Si mund të shkosh sot në Gjakovë të premtosh, ndërsa rruga Klinë–Gjakovë është një dështim i madh dhe nuk ka asnjë llogaridhënie për këtë projekt”, u tha në deklaratë.
Sipas tij, kritikat ndaj Gjinit lidhen me, siç u shpreh ai, fuqinë e tij politike dhe performancën në terren.
“E them me vetëdije se Kurti e njeh fuqinë e Ardian Gjinit dhe punën që ka bërë në Gjakovë. Ai është një nga njerëzit që ka dëshmuar aftësi në menaxhim dhe zhvillim lokal”, u tha më tej.
Nga AAK u theksua gjithashtu se partia nuk është marrë me fyerje gjatë fushatës.
“Nuk besoj që ka pasur ndonjë zyrtar të AAK-së që ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj ndonjë personi, e aq më pak ndaj kryeministrit. Ne kemi shkuar me ofertë politike dhe me kandidatura, jo me ofendime. I kemi dëgjuar sulmet, por i kemi injoruar”, u tha në deklaratë.
Haradinaj: Kurti për gjashtë vjet nuk arriti të shkelë në Shtëpinë e Bardhë
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë të projekteve kapitale dhe për manipulim të opinionit publik me premtime që, sipas tij, nuk janë realizuar.
Në emisionin “Click” në RTV21, Haradinaj tha se fushata e Vetëvendosjes nuk bazohet në rezultate konkrete apo projekte të përfunduara.
“Populli po manipulohet. Fushata e tyre nuk është e orientuar në projekte, oferta apo vizion. Nuk japin llogari për atë që kanë bërë. Nuk e kemi asnjë projekt kapital të përfunduar dhe kjo është për keqardhje. Është e çuditshme si nuk kërkohet më shumë llogari nga pushteti”, deklaroi Haradinaj.
Ai kritikoi edhe premtimet për investime në sektorë të ndryshëm, duke përmendur energjinë dhe turizmin.
“Në vend se të dalë e të flasë për rrugët dhe projektet konkrete, Kurti del dhe flet për parkun solar në Rahovec, kur aty nuk figuron asgjë e nisur. Po ashtu premton miliona euro investime në turizëm në Rugovë, por nuk është ndarë asnjë buxhet për këto projekte, ndërsa rruga nga Peja drejt Rugovës vazhdon të jetë ndër më të rrezikshmet”, tha Haradinaj.
Sipas tij, qytetarët tashmë e kanë kuptuar se këto premtime po përdoren për qëllime elektorale.
“Qytetari do ta kuptojë dhe do t’i vlerësojë të gjitha këto. Situata nuk do të mbetet e njëjtë. Qytetarët e kanë kuptuar se bëhet fjalë për manipulim me qëllim të fitimit të besimit të tyre”, deklaroi ai.
Haradinaj ngriti shqetësime edhe për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Po flasim për miliona euro. Nuk ka pothuajse asnjë situatë me të cilën jemi përballur e që nuk lidhet me ndonjë aferë korruptive”, tha ai.
Në fund, Haradinaj kritikoi edhe politikën e jashtme të Qeverisë.
“Për gjashtë vjet, kryeministri ynë nuk ka arritur të shkelë në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Haradinaj.
“Blerje klasike e votës me buxhetin e shtetit” Haradinaj për ndarjen e subvencioneve
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, ka kritikuar ndarjen e subvencioneve nga Qeveria në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si përpjekje për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve.
Në emisionin “Click” në RTV21, Haradinaj tha se ndihmat e shpërndara nuk sjellin përmirësim të qëndrueshëm për familjet kosovare.
“Kjo është blerje e votës në mënyrën më klasike të mundshme, me buxhetin e shtetit. Në një formë, është edhe korruptim i votës. Ne nuk e kemi kundërshtuar ndarjen e subvencioneve dhe nuk jemi kundër ndihmës për qytetarët, por pyetja është: çfarë do të bënte qytetari i Kosovës nëse nuk do të kishte zgjedhje? Çfarë ndryshimi i sjellin qytetarit 27 centë në ditë?”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se ndihmat e përkohshme nuk zgjidhin problemet ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
“Më mirë do të ishte të rriteshin pensionet dhe pagat dhe ato të ishin të përhershme. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë realitetin me të cilin përballen çdo ditë. Faturat e energjisë po vazhdojnë t’u vijnë dhe kostoja e jetesës po mbetet e lartë”, tha ai.
Haradinaj akuzoi gjithashtu pushtetin për mungesë të vizionit dhe rezultateve konkrete.
“Populli po manipulohet. Fushata e tyre nuk është e orientuar në projekte, oferta apo vizion për të ardhmen. Nuk po japin llogari për atë që kanë bërë dhe për rezultatet që kanë prodhuar gjatë mandatit të tyre”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj: Shumë deputetë të VV-së e dinë se nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit
Kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj në ”Click” të RTV21 tha se përbërja e ardhshme e Kuvendit do të përcaktohet nga qytetarët, ndërsa partitë politike mbeten në garë për t’i bindur votuesit me programet dhe ofertat e tyre.
Haradinaj tha se vendimi përfundimtar i takon sovranit.
“Vendimi i takon sovranit. Ata me votën e tyre duhet ta caktojnë përbërjen e Kuvendit. Ajo që na takon neve si garues është të jemi në terren dhe të punojmë për ta ndryshuar situatën”, tha Haradinaj.
Ai vlerësoi se ka një lodhje të përgjithshme si te qytetarët, ashtu edhe te partitë politike, përjashtuar, sipas tij, ata që aktualisht e kanë pushtetin ekzekutiv.
“Partitë politike dhe qytetarët janë në një gjendje të ngjashme. Janë lodhur të dyja palët, përveç atyre që e kanë komoditetin e ekzekutivit. Edhe nga VV-ja ka lodhje”, deklaroi ai.
Haradinaj u ndal edhe te zhvillimet politike që pasuan dështimin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se reagimi më i madh i pakënaqësisë kishte ardhur nga radhët e Vetëvendosjes.
“Ditën kur dështoi zgjedhja e presidentit, më të mërzitur kanë qenë deputetët e VV-së sesa ata të opozitës. Arsyeja është se një pjesë e mirë e tyre besojnë se nuk do ta shohin më atë Kuvend, ose nuk do të jenë më pjesë e legjislaturës së ardhshme”, tha Haradinaj.
Sipas tij, qeveria ishte përgatitur prej kohësh për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Është parë qartë gjatë gjashtëmujorit të fundit se qeveria është përgatitur për zgjedhje. Që nga fillimi i vitit, fokusi i tyre kanë qenë zgjedhjet”, deklaroi Haradinaj.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?