Blinken niset për në Evropë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken udhëtoi në Evropë të mërkurën mes frikës në rritje se një pushtim rus i Ukrainës mund të jetë i afërt.
Blinken do të zhvillojë diskutime me presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev, përpara se të takohet me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë në Berlin.
Të premten ai do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Gjenevë, transmeton rtv21.tv.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të nisur një sulm ndaj Ukrainës fqinje.
Megjithatë të martën zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Moska mund të nisë një pushtim në “çdo moment”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se ndërtimi i dhjetëra mijëra trupave nga Rusia pranë kufirit të saj me Ukrainën kishte krijuar një “situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Ajo tha se “asnjë opsion nuk është jashtë tryezës” për të shmangur shpërthimin e konfliktit dhe shtoi se “ajo që Sekretari Blinken do të bëjë të qartë se ka një rrugë diplomatike përpara”.
Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve AFP se Blinken do të kërkojë t’i ofrojë Lavrov një “dalje diplomatike” nga kriza gjatë bisedimeve të premten./21Media

Back to top button