“Vera andrron detin” vazhdon rrugëtimin në Festivalin e Filmit në Göteborg
1 min read
Filmi “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit është në mesin e filmave pjesëmarrës në Festivalin e Filmit “Göteborg”, në Suedi.
“Debutimi prekës në filmin artistik të Kaltrina Krasniqit është një portret i sofistikuar i pajtueshmërisë femërore dhe aftësive empatike në përplasje me një kod nderi mashkullor”, kështu është përshkruar filmi i Krasniqit, nga faqja zyrtare e festivalit.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj, transmeton rtv21.tv
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Festivali vjetor i filmit në Suedi nis më 28 janar, zgjat deri më 6 shkurt./21Media