Kaloni te përmbajtja kryesore

Blinken parashikon edhe sa do të zgjasë lufta Rusi-Ukrainë

Shtetet e Bashkuara presin që lufta e Rusisë në Ukrainë të vazhdojë edhe për “shumë muaj”, pavarësisht presionit në fushën e betejës, deklaroi të mërkurën sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken.
“Në rastin më të mirë që mund të vlerësojmë tani, ne presim ende shumë muaj konflikt,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Nga ana tjetër, Stoltenberg e mirëpriti paketën e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën që njoftoi Presidenti Biden të martën dhe falenderoi Shtetet e Bashkuara për rritjen e pranisë ushtarake në mbarë Evropën, me mbi 100 mijë forca të dislokuara, të mbështetura nga njësi ajrore dhe detare.
Ai tha se e vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin është që Rusia të ndalë agresionin dhe luftën që filloi në Ukrainë, ndërsa dënoi retorikën kërcënuese nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore.
Stoltenberg shprehu gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin e ardhshëm të Finlandës dhe Suedisë në aleancë, si dhe për rritjen e pranisë së NATO-s në vendet e Evropës Lindore.
Ai tha se mban kontakte të afërta me Presidentin turk Erdogan dhe udhëheqësit e Finlandës dhe Suedisë, dhe se do të organizojë një takim mes zyrtarëve të tre vendeve në Bruksel gjatë ditëve në vazhdim.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button