Bllokimi i punës së Kuvendit, pozitë dhe opozitë fajësojnë njëra-tjetrën

Dështimi i seancave të Kuvendit dhe i mbledhjeve të komisioneve parlamentare, për shkak të mungesës të kuorumit si dhe mosvotimi i projektligjeve dhe marrëveshjeve të ndryshme, kanë vënë në pikëpyetje funksionimin normal të Kuvendit në këtë sesion vjeshtor.

Me gjithë dështimet, deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët së fundi bojkotuan seancat për Policinë e Kosovës dhe jo vetëm, thonë se puna e Kuvendit nuk është bllokuar teksa e fajësojnë opozitën për pengim të funksionimit të Kuvendit.

“Ka kohë të gjate që e gjithë barra e punës në komisione dhe seanca i bie vetëm pushtetit të qënurit në opozitë nuk nënkupton mos të merresh pjesë…Tendecat për ta penguar në çdo formë kur ne nuk jemi tërësisht në masë është diçka që shkon në dëm të përgjithshëm”, tha Jeta Statovci nga VV.

Por, ndryshe mendon opozita e cila nuk po voton marrëveshjet ndërkombëtare. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se shumica parlamentare është ajo që ka bllokuar punë e Kuvendit.

“Shumica e bllokoi punën e Kuvendit për shkak se kryeministri nuk raportoi. Realisht opozita në dorë i ka instrumentet e veta. Njëri është që zakonsi është seanca e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime që po bojktohet nga qeveria, një tjetër është bërja e pyetjeve larkamentare dhe komsuonet parlamentare që po bojkotohen nga qeveria”, tha Tahiri.

Për shoqërinë civile, puna e Kuvendit është bllokuar për shkak të të dyja palëve, pushtetit dhe opozitës.

Në Institutin Demokratik të Kosovës, thonë se partitë politike duhet ta gjejnë një konsensus për t’i çuar përpara çështjet në interes të qytetarëve.

“Kuvendi po përballet me një bllokadë, kjo po vjen prej bojkotit herë të pozitës herë opozitës për arsye të ndryshme politike”, tha Tringa Dreshaj nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Edhe Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kuvendi i Kosovës po përballet me probleme të shumta.

“Kemi gjetur se Kuvendi është ballafaquar në shumë probleme të caktuara sidomos me bllokimin e çështjeve që janë në pritje për miratim dhe shqyrtim në Kuvend 1/4 e agjendës legjislative në Kuvend përbehet prej projektligjeve të marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk kanë kaluar për të disatën herë. Pushteti s’duhet ta përdorë arrogancën për projektligje që kërkojnë votata e opozitës por duhet ta përdorë konsultimin dhe dialogun me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas të dhënave të shoqërisë civile në gjashtë mujorin e këtij viti Kuvendi i Kosovës nuk ka përmbushur as gjysmën e agjendës legjislative./21Media

Back to top button