Borisov: Do ta mbështesim Maqedoninë që të anëtarësohet në NATO
Marrëveshja për fqinjësi të mirë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes
Në interes të Bullgarisë është që Maqedonia të bëhet anëtare e aleancës së NATO-s. Këtë e deklaroi kryeministri bullgar Bojko Borisov për mediat e Sofjes, duke shtuar se Marrëveshja për fqinjësi të mirë ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë, e cila është në fazë përfundimtare, është shumë e rëndësishme. Borisov thotë se me historinë duhet të merren historianët, ndërsa gjëja më e rëndësishme në këtë moment është integrimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, shkruan tv21.tv
“Marrëveshja për fqinjësi të mirë, e cila pritet të nënshkruhet, është shumë tejet e rëndësishme. Unë shpresoj se edhe kolegët nga Greqia dhe vendet e tjera do të gjejnë mirëkuptim për këtë çështje”, tha Borisov.
Në lidhje me këtë temë, u shpreh edhe ish presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, i cili në një intervistë për Televizionin kombëtar të Bullgarisë, tha se Bullgaria ka mundësi historike që të jetë rruga përmes së cilës do të zgjerohet Bashkimi Evropian, ndërsa Maqedonia patjetër duhet të hyjë në Bashkimin Evropian. Sipas Plevnelievit, nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, do të jetë një bazë e sigurt për zhvillimin e marrëdhënieve reciproke të të dyja vendeve dhe përpjekjet në këtë drejtim meritojnë të përshëndeten.
“Për mua, interesi më i madh është që në Ballkan të ketë paqe, për shkak se Ballkani është shtëpia jonë e përbashkët. Për të pasur paqe në Ballkan duhet ti harrojmë idetë e Fuqive të Mëdha të cilat ndajnë sferat e tyre të ndikimit. Për të pasur paqe në Ballkan, është në dobi të Bullgarisë që të dëshmojë vullnet evropian”, u shpreh Plevneliev.
Siç informoi dje TV21, në dy ditët e ardhshme, shefi i diplomacisë maqedonase, i shoqëruar nga ekipi i tij, do të udhëtojë për në Sofje për t’i përfunduar bisedimet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Nikolla Dimitrov në Sofje do të takohet me kolegen e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva, e cila para dy ditëve deklaroi se nuk duhet të prolongohet data e nënshkrimit të marrëveshjes më 2 gusht. Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE-ja sot përsëri kërkoi nga LSDM-ja që ti zbulojë detajet e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Ai, edhe një herë apeloi deri tek Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë që të tregojë interes në lidhje me këtë marrëveshje, e jo siç thotë ai, vetëm të konstatojnë se nuk janë në dijeni të përmbajtjes së saj./21Media