Borrell për kërkesat ruse: Janë tërësisht të papranueshme

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Josep Borrell, i ka quajtur kërkesat e Rusisë për garantim të sigurisë dhe ndërprerjen e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s drejt Lindjes si “agjendë të pastër ruse me kushte tërësisht të papranueshme”.
“Kërkesat për garantim të sigurisë dhe ndërprerja e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s drejt Lindjes janë agjendë e pastër ruse me kushte tërësisht të papranueshme, posaçërisht për Ukrainën”, ka thënë Borrell në një intervistë për gazetën gjermane, Die Welt.
Ai ka shtuar se për herë të parë Moska i parashtron kërkesat e tilla me shkrim, diçka që deri tani nuk ka ndodhur. “Këtë e bëjnë vetëm fituesit, ata thonë këto janë kushtet e mia”, theksoi ai.
Borrell ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të ketë një rol aktiv në bisedimet që pritet të mbahen mes SHBA-ve dhe Rusisë.
“Nëse Moska, siç ka lajmëruar, dëshiron të flasë për arkitekturën e sigurisë në Evropë, dhe garancat e sigurisë që nga janari, kjo nuk është një çështje që e prek vetëm Amerikën dhe Rusinë“, ka deklaruar ai.
Kryediplomati evropian ka thënë se negociatat mbi këtë situatë kanë kuptim vetëm me pjesëmarrjen e BE-së, pasi bisedimet përfshijnë të ardhmen e tërë kontinentit evropian.
Nga mesi i dhjetorit, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka publikuar drafte të marrëveshjes me ShBA-në dhe marrëveshjes me NATO-n. Dokumentet tanimë janë dorëzuar në Uashington.
Në një nga klauzolat, Moska ka propozuar që vendet e NATO-s t’i japin garanci Rusisë, të cilat do të pengojnë zgjerimin e mëtejshëm drejt Lindjes, posaçërisht në territorin ukrainas.
Nga fillimi i dhjetorit, BE-ja është pajtuar të drejtojë 31 milionë euro drejt përmirësimit të logjistikës dhe mbrojtjes kibernetike të ushtrisë ukrainase. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të financojnë projekte ku përfshihet vendosja e pajisjeve të vëzhgimit dhe monitorimit, me qëllimin të forcohen kufijtë që Ukraina ndan me Rusinë dhe Bjellorusinë./21Media

Back to top button