Borrell: S’duam ushtri evropiane, por një shtyllë mbrojtëse brenda NATO-s

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka dërguar mesazh vendeve të Bashkimit Evropian për të reaguar me vendosmëri ndaj luftërave që aktualisht po zhvillohen në Ukrainë e në Izrael, si dhe për përfshirjen e Iranit krah Palestinës.
Ai ka thënë se BE-ja duhet të bëhet e aftë ta mbrojë Evropën nëpërmjet ndërtimit të një shtylle të fortë evropiane brenda NATO-s. Sipas tij, kjo duhet të bëhet në një periudhë të shkurtër kohore, jo me qëllim të luftës por të parandalimit të saj.

“Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë strategjike dhe të bëhemi të aftë ta mbrojmë Evropën vetë, duke ndërtuar një shtyllë të fortë evropiane brenda NATO-s. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë hap përpara në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Jo se kemi ndërmend të shkojmë në luftë. Përkundrazi, ne duam ta parandalojmë atë duke i poseduar mjetet për të penguar në mënyrë të besueshme secilin agresor. Kjo nuk do të thotë krijimi i një ushtrie evropiane. Mbrojtja është dhe do të mbetet për një të ardhme të parashikueshme një kompetencë ekskluzive e shteteve tona anëtare. Së pari ka të bëjë me shpenzimet më shumë në nivel kombëtar. Në vitin 2023, ne kemi shpenzuar mesatarisht 1.7% të GDP-së sonë për mbrojtje, kjo përqindje duhet të rritet në më shumë se 2%”, ka shkruar ai në një mesazh në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian.

Kryediplomati spanjoll ka kërkuar që ushtritë e vendeve evropiane të vazhdojnë të ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën në luftë me Rusinë, por ka theksuar se ky proces po kalon me vështirësi.

“Për më tepër, ne përballemi me sfida të rëndësishme cilësore në teknologjitë e reja ushtarake si dronët ose inteligjenca artificiale. Ukraina nuk është lufta e vetme në fqinjësinë tonë të afërt. Sulmi brutal terrorist i Hamasit ndaj Izraelit dhe reagimi joproporcional i Izraelit janë në vazhdim dhe rrezikojnë përhapjen e luftës në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, siç kemi parë me sulmin iranian ndaj Izraelit gjatë fundit të javës së kaluar. Në këtë konflikt, reagimi ynë ka hedhur dyshime mbi kapacitetin e Evropës për të qenë një aktor efektiv gjeopolitik”, ka theksuar Borrell tutje.

Sipas tij, për shkak të mungesës së mjeteve, ndikimi i BE-së në luftën në Izrael është i kufizuar, e reagimin e vendeve e cilësoi joefikas.

“…Ne ishim mjaft joefikas deri më tani, sepse si Bashkim – i lidhur me unanimitet – ishim të ndarë. Qëndrimi ynë i përbashkët ka qenë prapa atij të Shteteve të Bashkuara, për shembull për sanksionimin e kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor. Për më tepër, ne kemi dërguar sinjale kontradiktore për shembull në lidhje me mbështetjen tonë për UNRËA. Ndarja jonë na ka kushtuar shtrenjtë në botën arabe por edhe në një numër të madh vendesh në Afrikë, Amerikë Latine dhe Azi. Dallimi në reagimet tona ndaj luftërave në Ukrainë dhe Palestinë është përdorur gjerësisht nga propaganda ruse. Dhe kjo propagandë ishte mjaft e suksesshme”, ka thënë zyrtari i lartë evropian.

Borrell ka theksuar se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, fiton luftën në Ukrainë, ai nuk do të ndalet me kaq.

Back to top button