Borrell: Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit

Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes së arritur në Bruksel është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë – Serbi. Kështu ka deklaruar Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, se
Pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, Borrell ka bërë thirrje që të mbarojë atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit.
“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”, ka thënë Borrell në një konferencë për media.
Borrell gjithashtu ka bërë të ditur se në këtë takim është folur edhe për shtetet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Ai ka përmendur Serbinë, ndërsa ka thënë se mbajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën evropiane dhe po ashtu me interesat e Serbisë.