“Bota s’ka ardhmëri nëse nuk ka fëmijë”

Kryetarja Kusari-Lila ka uruar fëmijët me dëshirat më të mira drejt realizimit të ëndrrave të tyre

Me organizim të përbashkët të Komunës së Gjakovës, organizatës lokale kosovare “Syri i Vizionit”, si dhe organizatës ndërkombëtare për fëmijë “Save The Chidren”, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në ditën ndërkombëtare të fëmijëve ka pritur asamblenë komunale të fëmijëve, të cilëve fillimisht u ka uruar ditën e tyre.

Në këtë takim, bashkë me nxënës të shkollave të komunës së Gjakovës, kryetarja Kusari-Lila ka uruar fëmijët me dëshirat më të mira drejt realizimit të ëndrrave të tyre. Kusari-Lila ka theksuar që në komunën e Gjakovës janë implementuar disa projekte madhore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve duke qenë si pilot komunë e përzgjedhur nga UNICEF për implementimin e projektit “Gjakova Mike Për Fëmijët”.

Gjithashtu, është implementuar rregullorja për të drejtat e fëmijëve dhe në kuadër të investimeve kapitale pritet edhe hapja e qendrës së organizatës ndërkombëtare për fëmijë “Save The Children” në Gjakovë, pas asaj ekzistuese në Prishtinë, si dhe është ne fillim të ndërtimit edhe objekti për persona me aftësi të kufizuara ku do të ketë inkuadrim të vazhdueshëm në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë, ka shtuar Kusari Lila. Kryetarja Kusari-Lila, e përmbylli fjalën e saj duke u thënë fëmijëve se, “Ju jeni e tashmja, sepse atë që ne ju pasqyrojmë sot ju do të reflektoni nesër. Ju duhet ta duani vendin pa kushte, sepse ne të gjithë e kemi një shtëpi që e ka emrin Kosovë, e që duhet ta mirëmbajmë”.

Naser Lajqi në emër të organizatave “Save The Children” dhe “Syri i Vizionit” ka falënderuar  për bashkëpunimin e ofruar nga Komuna e Gjakovës, ndërkohë që falënderime për bashkëpunim të tillë në emër të asamblesë së fëmijëve ka shprehur edhe kryetarja Dea Jonuzi. Në përmbyllje të takimit pati bashkëbisedim dhe pyetje nga ana e fëmijëve.

Back to top button