Botërori i boksit, India kërkon që Kosova të paraqitet pa simbole shtetërore

Në Kampionatin Botëror të Boksit që do të fillojë të martën në Indi, Kosova synonte medalje elitare përmes bokseres Donjeta Sadiku, por paraqitja e saj atje është pranë dështimit.

Vendi organizator, India, nuk ka lëshuar viza për Donjetën dhe ekipin e saj shoqërues pikërisht për shkak se ata nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri te fillimi i kampionatit, KosovaPress mëson nga burimet e saj se Ministria e Sportit është edhe më tutje në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë dhe kjo e fundit ka kërkuar që Kosova mund të jetë pjesë e Kampionatit Botëror vetëm nëse pranon të garojë pa simbole shtetërore.

Gjithnjë sipas burimeve të KosovaPressit, MKRS dhe Federata e Boksit janë duke u konsultuar rreth kësaj kërkese dhe në orët e ardhshme do të dalin me një vendim zyrtar.

Ndryshe, për shkak se disa shtete e kanë braktisur këtë kampionat, shkaku i pjesëmarrjes së atletëve rusë, Donjeta Sadiku është boksierja favorite për ta fituar medaljen e artë në Indi.

Back to top button