BQK parashikon rritje ekonomike prej 4.2% për vitin 2024

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli tha se pavarësisht vështirësive me të cilat janë ballafaquar po arrijnë të përmbyllin me sukses këtë vit duke mirëmbajtur dhe siguruar zbatimin e objektivave të tyre si dhe duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm.

Këtë, ai e tha në konferecën e organizuar me ç’rast prezantoi punën një vjeçare të këtij institucioni.

Ismajli tha se rritja ekonomike për këtë vit pritet që të arrijë 3.4 për qind, derisa shtoi se në vitin 2024 parashihet rritje ekonomike prej 4.2 për qind mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksporti.

Ai theksoi se remitencat e pranuara deri në fund të vitit 2023 pritet të arrijnë vlerën 1.3 miliardë euro, për çka shtoi se BQK parasheh që në vitin 2024 remitencat të rriten prej 6.0 për qind.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismajli potencoi se kreditë deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën prej afro 5 miliardë euro, duke shënuar rritje rreth 600 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar.

Ismjali tha se kreditë për Sektorin e Ndërmarrjeve të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të kredive në sektorin bankar, evidentohen në shumën prej afro 3 miliardë euro.

Ai shtoi se sektori i ekonomive familjare përbëjnë 37 për qind të kredive ne sektorin bankar.

Ndërsa, norma mesatare e interesit ne kredi në sektorin bankar është 6.39 për qind. Përveç këtyre, Ismajli foli edhe për depozitat, për çka tha se vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Ai shtoi se depozitat deri në nëtor të vitit 2023 evidentohen në shumë prej afro 6 miliardë euro.

Ismajli theksoi se numri i institucioneve aktive që rregullohen, licensohen dhe mbikqyren nga BQK është 136.

Ai shtoi se asetet e sektorit bankar deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën mbi 7 miliardë euro.

Ndër të tjera, Ismjali potencoi se ka pasur rritje direkte të investimeve të huaja direkte, për çka tha se ka ndikuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe të tjerëve.

Lidhur me atë se çfarë ka bërë BQK-ja në përmirësimin e situatës me monedhën 2 euroshe, tha se kanë bërë furnizmin e ekonomisë me monedha të reja, kanë inicuar themelimin e Qendrës Kombëtare për luftë ndaj parave të falsifikuara dhe veprime të tjera.

Ndërkaq, plani strategjik i BQK-së për vitin 2024-2028 është forcimi i qëndrueshmërise dhe stabilitetit financiar, ngritje të kapaciteteve, përkushtim ndaj personelit, digjitalizmi dhe modernizmi i proceseve, avancimi i mbrojtjes së konsumatorit e të tjera.

Në kuadër të konferencës, u bë edhe ndarja e cmimit tradicional të BQK-së, “Ekonomisti i ri”, të cilin e fituan Qëndresë Cuci, Diellëza Mahmuti dhe Agnesa Demolli Mehmeti.

Back to top button