Maqedonci: Rreth 240 milionë euro investime në sisteme të armatimit gjatë këtij viti

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se gjatë këtij viti janë investuar rreth 240 milionë euro në sisteme të armatimit. Ai tha se buxheti ka shënuar rritje mbi 100 për qind në raport me vitin e kaluar. Tutje, theksoi se dronët bajraktar janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit me të cilat është pajisur Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në konferencë për media, ku prezantoi punën e këtij viti, ministri Ejup Maqedonci deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar siguri dhe mbrojtje të integritetit territorial.

“Me një buxhet që ka shënuar rritje mbi 100 për qind në raport me vitin 2022, është investuar 28 për qind më shumë në blerje të armatimeve gjatë këtij viti. Apo afërsisht katër milionë që janë investuar në qeverinë e kaluar në sisteme të armatimit, shifra ka arritur në 239 milionë euro investime në sisteme të armatimit. Sigurisht dronët bajraktar janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit me të cilat është pajisur Forca e Sigurisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se gjatë këtij viti janë rekrutuar mbi 620 rekturë.

Ai tha se Kosova është ngritur pesë vende më larta në Indeksin e Fuqisë Globale të ushtrive në botë.

Ai shtoi se gjatë ushtrimit “Defender Europe 23”, arritje e theksuar ka qenë validimi i një regjimenti të këmbësorisë. Tutje, theksoi se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 15 shtete, ku theksoi se janë në proces të dakordimit për marrëveshje me Republikën Ceke, Bullgarinë dhe Finlandën. Ndërkaq, më tej shtoi se gjatë vitit 2023 është shpenzuar rreth 95 për qind e buxhetit.

Back to top button