BQK ulë përkohësisht sigurimin kufitar të autopërgjegjësisë

 
Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në sotme ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.
Sipas një njoftimi të BQK-së, ky vendim i marrë nga menaxhmenti ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.
“Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 përqind. Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button