BSPK: Greva po zhvillohet pa probleme, Qeveria të reflektojë karshi kërkesave
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se greva e filluar javën e kaluar po vazhdon pa probleme.
“Sot, e hënë, më 29 gusht 2022, duam të informojmë opinionin se greva e përgjithshme në nivel vendi është duke u zhvilluar mirë dhe pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore. Por, ajo që e shqetëson BSPK-në është mosreflektimi i Partnerit tonë Social – Qeverisë përkitazi me kërkesat e arsyeshme sindikale. Partneri ynë Social – Qeveria duhet që të punësuarve të saj t’ua dëgjojë hallet dhe të merret seriozisht me shqetësimet e tyre”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
BSPK gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria t’i thërrasë ata për bisedime.
“Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të na thërrasë në tavolinën e bisedimeve e kjo do duhej të bëhet sa më parë për të mirën e të gjithëve. BSPK është në pritje të hapjes së dialogut të mirëfilltë social midis Partnerëve Socialë ashtu si e do rregulli dhe si e thotë ligji”, përfundon komunikata e BSPK-së./21Media