Bujqit e Kosovës për herë të parë kishin mundësi të mbrojnë pemishtet nga ngricat
Banka Botërore në Kosovë ka njoftuar se këtë pranverë, për herë të parë në Kosovë, bujqit kishin mundësi të mbrojnë pemishtet e tyre nga rreziku i ngricave të pranverës me sigurime bujqësore për mollën, kumbullën dhe rrushin, në kuadër të një projekti të IFC-së, pjesë e Grupit të Bankës Botërore.
Sipas BB, projekti tani ka zhvilluar edhe një sistem që u mundëson kompanive të sigurimeve të lëshojnë polisa të sigurimeve bujqësore në formë elektronike (online), e rëndësishme meqenëse masat që synojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 kufizojnë shërbimet bankare dhe të sigurimeve person me person.
“Tash fermerët mund të paraqesin dokumentet e nevojshme dhe të kryejnë pagesën nëpërmjet kësaj platforme, pa pasur nevojë të dalin nga shtëpia. Kjo është një arritje domethënëse për tregun e ri të sigurimeve bujqësore në Kosovë. IFC po e zbaton këtë projekt në partneritet me qeveritë e Austrisë dhe Hungarisë”, thuhet në njoftim.