Gastronomia kërkon ndihmën e shtetit, ndryshe rrezikon falimentimin

Gastronomia është një prej sektorëve që ka shënuar humbjen më të madhe gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19. Ky sektor ka shënuar rënie të të hyrave prej 100%, gjë që e nuk e përjashton mundësinë që shumë biznese të kësaj natyre të falimentojnë.

Ndonëse baret, restorantet, janë ndihmuar nga qeveria me 170 euro për punëtorët dhe ndihmë në pagesën e qirave, kjo nuk po shihet si e mjaftueshme.

Shpat Hashani, pronar i kafiterisë “Babel Cafe”, thotë se para se të mbyllen në mars të këtij viti ka pasur të punësuar 10 punëtorë. E humbjet që i ka pësuar deklaron se e bëjnë të pashmangshme që të zvogëlojë numrin e të punësuarve.

Para se me u mbyll kemi pasur 10 punëtorë dhe pas mbylljes dhe me kapacitetet që do të na lejojnë, me masat që do të merren nga qeveria përmes distancës, atëherë duhet edhe numri i punëtorëve të zvogëlohet fatkeqësisht. Përndryshe dëmi është shumë i madh dhe ndoshta jemi prej sektorëve më të prekur ose më të dëmtuar nga kjo pandemi”, tha Hashani.

Ai potencon se ndihma që e ka marrë nga qeveria ka qenë e mirëseardhur, por që thotë se është e pamjaftueshme.

Pas lehtësimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, lokalet do të mund që nga 18 maji të ofrojnë shërbime “take away”, ndërsa nga 1 qershori është paraparë hapja e tërësishme e tyre. Megjithatë, Hashani thotë se edhe pas hapjes nuk presin që do të ketë shumë qarkullim të njerëzve, çka e vë në dyshim funksionimin e tyre.

Ndihma është e mirëseardhur, por nuk është e mjaftueshme duke e ditur shpenzimet që i kemi fikse dhe këto tjerat. Besoj që qeveria do të vije edhe më një ndihmë tjetër…Gjatë kësaj periudhe ‘take away’ që do të jetë afër 10 ose 12 ditë qarkullimi besoj nuk do të jetë aq i madh, ka plot faktorë. Përndryshe kur të hapen me 1 qershor besoj që do të jetë rregullorja që duhet me pas distancë ndërmjet tavolinave dhe karrigeve, prapë nuk është e kënaqshme, por këto janë procedurat që ne duhet t’i respektojmë dhe besoj që do të ketë qarkullim të mjaftueshëm sa për të mbijetuar”, deklaroi ai.

Se sektori i gastronomisë ka nevojë për mbështetje shtesë e thotë edhe Fatos Mexhuani, nënkryetar i Shoqatës së Gastronomëve.

Ai potencon se bizneset e sektorit të gastronomisë kanë pësuar rënie prej 100% të të hyrave.

Duke e marrë parasysh që është ndalur 100 përqind qarkullimi kjo tregon që është një dëm shumë i madh për këtë sektor, po ashtu edhe për punëtorët. Sot është publikuar një hulumtim nga Instituti për Ekonomi dhe Tregti të Lirë dhe kemi parë që 75.6 përqind e bizneseve kanë deklaruar se nëse nuk kemi ndihma nga shteti këto biznese falimentojnë. Po ashtu, 56 përqind kanë deklaruar që kanë larguar disa punëtorë nga puna”, tha ai.

Sipas tij, shteti duhet të vazhdojë të ndihmojë sektorin e gastronomisë në mënyrë që të mos falimentojnë.

Ndihma nga shteti duhet të vazhdojnë, ndoshta deri në fundvit pasi deri në gjetjen e vaksinës nuk shohim që do të ketë ndonjë përmirësim. Paga ne mendojmë se duhet të rritet nga 170 euro, për arsye se ajo ka një efekt pozitiv edhe në konsumin tonë të brendshëm, minimumi të bëhet në 300 euro, 50 përqind e qirave të subvencionohet nga shteti për arsye se është e pamundur edhe të vazhdohet kjo punë. Lehtësira në taksa e në tatime dhe po ashtu të shikohet për kredi të buta ku mendojmë që shteti përmes fondit të garancionit ta mbulojë interesin, por të jenë kredi shumë të buta dhe që të ndihmojnë rimëkëmbjen”, tha ai.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, thotë se sektori i gastronomisë është një prej sektorëve me humbjen më të madhe gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me virusin COVID-19.

Kemi deri 100 përqind rënie, në shumë kompani kemi 100 përqind rënie të të hyrave, një pjesë ka tentuar të punojë me ‘delivery’, pra me pjesën online. Tash një pjesë fillon me ‘take away’ me datën 18, po megjithatë pjesa kryesore e biznesit të gastronomisë veç është dëmtuar, një pjesë e tyre mbi 70 përqind në bazë të të gjitha vlerësimeve e konsiderojnë që do ta kenë të vështirë të rikthehen ose të mbijetojnë edhe nëse hapen”, tha ai.

Si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19, sektori i gastronomisë është mbyllur i pari, ndërsa pas lehtësimit të masave është paraparë që nga 18 maji të fillojë puna për “take away”, e hapja e tërësishme është paraparë me 1 qershor.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button