Bulliqi për RTV21 tregon cili është projekti më i madh që do të realizohet sivjet

Në një intervistë për portalin rtv21.tv kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka treguar për punët që ka nisur në mandatin e tij si kryetar Komune dhe projektet e tjera që po e presin.
Bulliqi për rtv21.tv ka thënë se deri më tani janë mbi 20 projekte që janë inicuar procedurat e prokurimit, dy prej tyre ka thënë se janë nënshkruar kontratat e së shpejti pritet të finalizohen edhe të tjerat.
Kreu i Podujevës ka vlerësuar se projekti me më rëndësi që ka filluar në këtë fillimvit është ndërtimi i rrugës “Skënderbeu”.
“Disa projekte të tjera që janë incuar: Ndërtimi i shkollës në fshatin Obrance, ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën Enver Maloku, ka filluar shpërndarja e shujtave për nxënësit nga klasa e parë deri tek klasa e pestë, ndërtimi i Ambulantës në Gllamnik është në procedurat e tenderimit etj”, ka thënë ai.
Projekti më i madh në Podujevë
Kryetari Bulliqi gjatë kësaj interviste është zotuar se në komunën e Podujevës ka shumë projekte të rëndësishme që do të realizohen sivjet, por ka diçka që ai e konsideron si projektin më të madh për vitin 2022.
“Unë e konsideroj si projektin më të madh për këtë vit është Zona Industriale”, ka thënë Bulliqi.

Buxheti i Podujevës
Projekt buxheti për vitin 2022 në Komunën e Podujevës është 23 milionë e 449 mijë euro. Kryetari për portalin rtv21.tv ka treguar si janë ndarë këto mjete.
“Ky projekt buxhet është i ndarë në kategori të ndryshme. Projektet që i kemi planifikuar me këtë buxhet janë pothuajse të gjitha të realizueshme dhe për dallim nga e kaluara nga ky projekt buxhet orientimet më të mëdha janë tek arsimi, shëndetësia dhe ekonomia”, ka thënë ai.
Diçka unike për Podujevën
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Podujevë, diçka që Podujeva nuk e ka pasë asnjëherë, Bulliqi është përgjigjur se synon ta bëjë Podujevën me Shtëpi të Kulturës dhe Galeri.
“Podujeva ka vuajtur për një shtëpi të kulturës për kohë të gjatë, artistët dhe artdashësit në mungesë të hapësirës janë detyruar që aktivitetet dhe veprimtarinë e tyre ta zhvillojnë jashtë qytetit tonë dhe një prej projekteve më shumë rëndësi është ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës. Gjithashtu për herë të parë Podujeva do ta ketë edhe Galerinë e saj”, ka thënë Bulliqi.
Planet e Bulliqit për shëndetësinë dhe arsimin në Komunën e Podujevës
I pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi për rtv21.tv ka thënë se do “t’i avancojnë shërbimet shëndetësore”, ndërsa beson se do të realizohet edhe projekti për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në shëndetësi do t’i avancojmë shërbimet shëndetësore, do të krijojmë hapësira të reja infrastrukturore si Urgjencën e Qytetit, ndërtimin e Ambulantës në Gllamnik si dhe po besojmë që do të realizohet edhe projekti për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu synojme t’i sigurojmë pajisjet për hemodializë, ndërtimin e qendrës për qendrim ditor për të moshuar etj”, ka deklaruar Bulliqi.
Ndërsa, sa i përketë fushës së arsimit, Bulliqi ka dhënë disa premtime.
“Në arsim do t’i digjitalizojmë shkollat, do të ndërtojmë 5 çerdhe të reja publike, ndërtimi i tri shkollave fillore të reja në fshatra dhe një në qytet. Përveç infrastrukturës shkollore do të punojmë shumë në përmirësimin dhe avancimin e metodave të mësimdhënies, përmes trajnimeve të ndryshme e formave të reja që janë në trend me metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies.”, ka shtuar ai.
Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi arriti ta ruajë pozitën e të parit të komunës, pasi mposhti në balotazh kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni./21Media 

Back to top button