Burri nga Haiti mbledh para për të birësuar djalin që e gjeti në plehra

Jimmy Amisial po shkonte në një festë kur vuri re në turmë në një rrugë në qytetin e Gonaives në Haiti.
“Kur arrita në vendin ku njerëzit po bënin zhurmë, pashë një fëmijë”, tha Amisial, 22 vjeç në atë kohë, i cili ishte në vizitë në atdheun e tij në një pushim nga shkolla në Teksas.
Ndërsa vendasit kishin frikë të preknin foshnjën sepse kishin frikë se mund ishte i mallkuar, Amisial e mori atë me nervozizëm.
“Ai nuk kishte rroba. Ai kishte milingona që zvarriteshin mbi të sepse ka qenë atje për disa orë. Kur e mora, ai menjëherë pushoi së qari”, tregoi Amisial për CNN.
Tani katër vjet më vonë, Amisial po përpiqet të zyrtarizojë atësinë duke adoptuar zyrtarisht djalin që i ka qëndruar afër që nga ajo natë.
“Kur u zgjova atë ditë nuk e dija se jeta ime do të ndryshonte përgjithmonë”, tha Amisial, përcjell rtv21.tv
Natën që e gjeti foshnjën, Amisial e çoi në shtëpinë e nënës së tij, Elicie Jean, e cila ishte e tronditur që djali i saj kishte shkuar në një festë dhe ishte kthyer me një foshnjë 3 muajshe.
Amisial thirri policinë për të raportuar se çfarë kishte gjetur dhe e mbajti foshnjën gjatë gjithë natës, teksa policia hetonte rastin, siç sugjeruan autoritetet.
Të nesërmen një gjykatës u shfaq në shtëpinë e nënës së tij për ta pyetur nëse donte kujdestarinë e përkohshme të fëmijës pasi askush nuk kishte dalë për ta kërkuar atë, tregoi tutje Amisial.
“Pasi më bëri atë pyetje, pata shumë netë pa gjumë. Por nëna ime më kujtoi se gjërat ndodhin për një arsye. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e diçkaje të madhe dhe për mua, ky ishte momenti”, theksoi ai.

Pas pushimeve, Amisial u kthye në Teksas siç e kërkonte programi i tij i vizave studentore, por e la fëmijën nën kujdesin e nënës së tij, ndërsa ai vazhdoi t’i mbështeste financiarisht.
Një vit më vonë, në vitin 2019, Amisial vendosi të nisë procesin për të adoptuar zyrtarisht fëmijën të cilin e kishte quajtur Emilio Angel Jeremiah, por hasi në pengesa pasi procesi rezultoi i kushtueshëm.
All God’s Children International, një agjenci birësimi, vlerëson se birësimi i një fëmije nga Haiti kushton mbi 40 mijë dollarë, pa përfshirë biletat e avionit, akomodimin dhe tarifat e tjera që lidhen me udhëtimin.
Kështu, në vitin 2020 Amisial vendosi të bënte një pushim nga shkolla, ku studionte komunikimin, për t’u fokusuar në punën, në mënyrë që të mund të kursente para për të adoptuar Emilio-n dhe për të mbështetur familjen e tij në Haiti.

Më 27 korrik ai krijoi një llogari në internet për të ndihmuar në mbledhjen e parave për tarifat e birësimit të Emilio-s. Amisial vendosi një objektiv prej 60 mijë dollarësh dhe që nga mëngjesi i së premtes ai kishte mbledhur mbi 79 mijë dollarë.

Edhe pse Amisial e ka tejkaluar qëllimin e tij, ai planifikon të përdorë paratë shtesë për të financuar arsimin e Emilio-s dhe për të mbështetur jetimoret lokale në Haiti. Ai gjithashtu ka ëndrra për të filluar organizatën e tij jofitimprurëse për të ndihmuar jetimët dhe familjet në nevojë në vendin e tij./21Media
Back to top button