Bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj

 

Dhjetëra bursistë të Skemës së Profesionistëve të Rinj nga sot do të sistemohen në institucionet e Kosovës. Në Qeverinë e Kosovës është bërë dorëzimi i akt-emërimeve për bursistët “YCS” derisa është thënë se të rinjtë do të ndihmojnë në ngritjen e nivelit të punës në administratën publike.

Kryeministri Kosovës, Avdullah Hoti tha se përmes arsimimit të të rinjve do të kontribuohet në përgatitjen e shoqërisë në Kosovë dhe avancimit të punës së administratës në Kosovë.“Unë kam pasur nderin që me disa prej gjeneratave të bursistëve kam punuar drejtpërdrejtën ë kapacitetet të ndryshme që kam pasur në institucion edhe besoj që pa asnjë dyshim, kudo që kanë qenë të angazhuar, edhe ju aty ku do të angazhoheni do të ngrisni nivelin mesatar të punës së administratës në Kosovë edhe me profesionalizmin dhe arsimimin e mirë që e keni marrë, por edhe atë që unë e vlerësoj shumë në sjelljen e një kulturë tjetër të punës në institucionet tona”, tha Hoti.

E shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog tha se janë zotuar të punojnë me autoritetet e Kosovës drejt reformave në administratë publike.“Bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të ketë përmirësime së pari Qeveria duhet të kryejë në vlerësim të nevojave me ministritë e linjës, institucionet dhe agjencinë e pavarura, me qëllim që të identifikohen nevojat e burimeve njerëzore në përputhje me reformën e administratës publike. Ky proces është fondamental për të identifikuar fushat e studimit dhe do të jetë krucial në procesin e punësimit. Procesi i punësimit i këtyre bursistëve do të përmirësohet dhe do të jetë më efikas. Sot është një mundësi e rëndësishme për këta bursistë që të pranojnë aktin e emërimit. Kosova duhet të përmirësojë profesionalizmin dhe llogaridhënie, efikasitetin dhe efektivitetin e administratës publike në të gjithë nivelet”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) në Kosovë, Agim Veliu tha se përmes këtij projekti, nga viti 2004 deri tani janë përkrahur më shumë se 300 të rinj nga Kosova.“Jemi të vetëdijshëm që pikërisht për shkak të tranzicionit nga legjislacioni paraprak tek pakoja e re e ligjeve për administratën publike si dhe kalimit të kompetencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi rezultuar me disa vonesa. Megjithatë ky proces i rëndësishëm kishte gëzuar dhe vazhdon të gëzojë përkrahjen e plotë timen personale dhe të ministrisë, që rrjedhimisht po rezulton i suksesshëm. Jemi të bindur që investimi i BE-së dhe i yni është shpaguar plotësisht me kontributin e të rinjve tanë që kanë punuar, punojnë dhe do të punojnë në kuadër të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Këta studentë kanë përfunduar studimet postuniversitare në vendet e Bashkimit Evropian me kushtëzimin që të punojnë së paku tre vite në administratën publike të Kosovës. E shumë prej bursistëve kanë vazhduar karrierën e tyre edhe përtej tre viteve të obligueshme.

Veliu tha se deri më tani janë financuar 12 raunde nga Bashkimi Evropian derisa dy të fundit kanë qenë në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës. Ai tha se Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës i kanë zotuar fondet edhe për së paku tre raunde të ardhshme.

Back to top button