“Bush ndër liderët e parë botërorë që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës”

“Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë në ngushëllimin për vdekjen e Presidentit George H. W. Bush se ai ishte një nga zërat e parë të lidershipit botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Mbështetja që ai i ka dhënë kauzës sonë të shenjtë për liri, ishte një mesazh i qartë anekënd botës. Kjo do të mbetet përherë në kujtesën tonë dhe do të na shërbejë që ta forcojmë edhe më tej miqësinë me Shtetet e Bashkura të Amerikës. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe popullin amerikan. Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Mbrëmë në moshën 94-vjeçare ka vdekur ish-presidenti amerikan,  George H.W Bush, i njohur edhe si Bushi i vjetër. Ai kishte qenë presidenti i 41-të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989-1993, pasi kishte shërbyer dy mandate si zëvendës president i Ronald Regan./21Media

Back to top button