“Buxheti i përqendruar në subvencione do të thellojë varfërinë në Kosovë”

Përderisa partia në pushtet flet për zhvillim ekonomik me projektbuxhetin për vitin 2024, i cili u miratua në parim nga Kuvendi i Kosovës. Opozita ka vlerësuar se kemi të bëjmë me regres ekonomik dhe buxhet që nuk përputhet me nevojat e qytetarëve. Ndërkohë njohës të fushës së ekonomisë thonë se nuk janë të rëndësishme shifrat që paraqiten, sa janë të rëndësishme punët që do të realizohen

Projekt-buxheti i vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, sipas kryeministrit Albin Kurti, në fokus kryesor do ta ketë ngritjen e mirëqenies qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja punës. Po ashtu ai thotë se buxheti adreson me prioritet edhe fushën e sigurisë, shëndetësisë, arsimit e sundimit të ligjit.

Ndërsa rreth 1/3 e buxhetit të vitit 2024, thuhet se është planifikuar për subvencione.

“Nga shuma e përgjithshme e projektbuxhetit 2024, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime”

Deputetët e opozitës, projektbuxhetin e vitit 2024 e kanë cilësuar si jo zhvillimor.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se me këtë planifikim buxhetor nuk mund të bëhet fjalë për zhvillim ekonomik, por siç thotë, varfërim të mëtejmë të qytetarëve. Sipas saj, përqendrimi i buxhetit në subvencione shkakton ngecje në të gjitha fushat e tjera

“Para një jave ka dalë pulsi publik i inflacionit dhe aty tregon që qytetarët po jetojnë ma keq dhe mezi po i mbulojnë faturat prej mujit në muj dhe gjithashtu kish një mostër prej 1500 personave dhe shifrat falin 26mijë qytetarë iu kanë bashkangjitë vargut prej të varfërve , andaj vetëm për zhvillim ekonomik nuk mund të flasim, në anën tjetër”, thotë ajo për RTV21.

Sipas ish-ministrit të financave, Haki Shatri, vlera e paraqitur e projektbuxhetit 2024, nuk garanton progres zhvillimor.

“Për të qenë më i kjartë me numrat për vitin 2024, qytetari kur shkon me ble nuk ka me mujtë me ble sa ka ble këtë vit, dmth ka me pasë zbritje të pagave, pensioneve dhe realisht ka zbritje të vlerave të investimeve kapitale,…qeveria ka të drejtë me proklamu vetën…projektet e vitit të ardhshëm mund të jenë të bukura të shkrume në letër të pasqyruara por në këtë projekt buxhet nuk ka asnjë progres, kemi bartje nga viti në vit”, thotë Shatri.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se më shumë se vlera e buxhetit e rëndësishme është mënyra e investimit të mjeteve buxhetore.

“Ajo që ka rëndësi në këtë moment është se përveç shumave absolute që na propozohen është se si do qeveriset ky buxhet, sepse nganjëherë shifrat nuk janë të mjaftuara nëse kjo shoqërohet me një keqqeverisje andaj nëse dojmë që ky buxhet të transferohet në zhvillim duhet të kemi parasyshë realizim të projekteve… me këtë sasi të parave me përmirësimin e qeverisjes në realizimin e projekteve ështe e mundur që të zbutet kjo shpërputhje sepse Kosova nuk mund të zhvillohet pa realizimin e projekteve dhe unë shpresoj që do të kemi një kthese në këtë drejtim”.

Njohës të fushës së ekonomisë kanë vlerësuar se rritje e buxhetit prej 100 milionë euro nuk është rritje reale, bazuar në inflacionin e lartë me të cilin ballafaqohet Kosova./21Media

Back to top button