Cakolli: Dehari duhet të zëvendësohet – deputetëve iu cenua e drejta për të votuar

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se kryesuesi i seancës Avni Dehari për të dytën herë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e ka mbyllur seancën në mënyrë arbitrare.
Cakolli shkruan në një postim në Facebook se kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Kushtetueseses por, sipas tij edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar.
“Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi. Me një qasje të tillë bllokuese, tashmë Kryesuesi, efektivisht po refuzon ta drejtojë seancën. E një situatë e tillë është e sanksionuar qartë me nenin 9 (2) të Rregullores së Kuvendit, që përcakton se kur kryesuesi refuzon ta drejtojë seancën, ai duhet të zëvendësohet nga deputetë të tjerë, sipas kriterit të moshës”, ka shkruar ai.