Ekspertët habisin: Në ditët e nxehta, patatet e skuqura me kripë janë zgjidhje e mirë për organizmin

Në ditët me vapë të madhe, shumëkush shmang ushqimet e kripura apo të yndyrshme, por një ekspert gjerman ka një këshillë që do të habisë jo pak njerëz: patatet e skuqura mund të jenë pikërisht ajo që i duhet trupit!
Sipas Thomas Küpper, mjek i udhëtimeve në klinikën universitare të Aachen në Gjermani, gjatë temperaturave të larta trupi humb jo vetëm lëngje përmes djersës, por edhe elektrolite të rëndësishme si natriumi dhe kaliumi. Kjo mund të çojë në çrregullime në funksionimin e organizmit, veçanërisht nëse konsumohen pije të varfra në minerale.
“Një porcion i mirë me patate të skuqura të kripura mund të ndihmojë,” thotë Küpper për median gjermane t-online. Ai shton se për ata që preferojnë diçka më të rëndë, edhe një copë sallam mund të jetë e dobishme. Çelësi qëndron tek sasia e kripës, e cila ndihmon në kompensimin e humbjes së elektroliteve.
Por ekspertët paralajmërojnë që patatet e skuqura nuk duhet të jenë shumë të yndyrshme. Gjithashtu, Küpper jep edhe një këshillë për lëngjet: “Çdo litër i tretë ujë që pini gjatë ditës duhet të përmbajë pak kripë,” sugjeron ai. Kjo mund të arrihet përmes pijeve elektrolitike për sportistë apo shtesave që mund të gjenden në farmaci.
Përveç kësaj, në meny duhet të përfshihet edhe shumë fruta dhe perime të freskëta. Ushqimet shumë të nxehta apo pikante duhen shmangur, pasi mund të shkaktojnë djersitje të shtuar./21Media