Cakolli: Fuqia politike matet me buxhetin që qeveriset, jo vetëm me numrin e komunave

Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, ku theksoi se peshën reale politike të partive duhet ta përcaktojë buxheti që ato do të menaxhojnë në nivel lokal, e jo vetëm numri i komunave të fituara.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai u shpreh se “fuqia politike nuk matet vetëm me numrin e komunave të fituara, por edhe me madhësinë e përgjegjësisë që secila parti do të mbajë – pra, me buxhetin që do të qeverisë”.
“Ndonëse është vështirë me argumentu ose me i bindë tifozët partiakë – disa prej të cilëve janë pa profesion, disa me profile ‘fake’, disa me injorancë mbi analiza pas-zgjedhore – prapë se prapë, ia vlen që për diskutim publik të shtrohen edhe teza e aspekte lidhur me peshën politike të qeverisjes lokale nëpër komuna. Fuqia politike nuk matet vetëm me numrin e komunave të fituara, por edhe me madhësinë e përgjegjësisë që secila parti do të mbajë – pra, me buxhetin që do të qeverisë. Sepse politika nuk mund të kufizohet vetëm tek “sa komuna ke”, por sa njerëz dhe sidomos me sa para qeveris realisht. Kaq e thjeshtë. Po edhe kjo, për disa, e di që është shumë”, tha ai.
Cakolli tha se Vetëvendosje në krahasim me vitin 2021, ka rritjen më të madhe të komunave të fituara.
“Po, Lëvizja Vetëvendosje ka rritjen më të madhe të numrit të komunave të fituara krahasuar me vitin 2021, dhe tash do të qeverisë me 7 komuna, po aq sa LDK-ja. Por vetëm aspekti numerik, në sisteme të decentralizuara, nuk ofron tablo të plotë të situatës, sepse për ashtu, Lista Serbe ka fituar më së shumti komuna. E mbi të gjitha, këto jo medoemos replikohen edhe në zgjedhjet potenciale parlamentare. Kaq e thjeshtë. Po edhe kjo, për disa, e di që është shumë”
Duke u bazuar në të dhënat e buxheteve komunale për vitin 2026, ai ka paraqitur përllogaritjet sipas partive:
LDK → 7 komuna me buxhet total €272 milionë
PDK → 6 komuna me buxhet €195 milionë
LVV → 7 komuna me buxhet €171 milionë
AAK → 5 komuna me buxhet €119 milionë
Sipas tij, këto shifra tregojnë se LDK-ja do të qeverisë rreth një të tretën e buxheteve komunale të Kosovës, kurse PDK dhe LVV kanë peshë të ngjashme dhe AAK-ja ruan pozicion të qëndrueshëm me komuna të mesme e buxhete solide.
“Matja mbi këtë premisë – ndonëse jo e vetmja e as përfundimtare – është ndër më objektivet për të analizuar ndikimin politik në nivel lokal, dhe si e tillë përdoret në plot vende”, ka shkruar ndër të tjera Cakolli./21Media