Cakolli: Ideja që zgjedhjet parlamentare të mbahen në të njëjtën ditë me ato lokale, e papërgjegjshme

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka cilësuar të papërgjegjëshme idenë që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë

“Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata”, ka shkruar ai në Facebook.

Cakolli ka thënë se ky skenar për zgjedhjet nuk po jepet sepse është i arsyeshëm, por në mungesë të zgjidhjes së krizës që është krijuar në Kuvend nga partitë politike, e sidomos nga partia e parë (LVV), vlerësoi ai.

“Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial. Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet”, ka përfunduar ai./21Media

Back to top button